Përgatitet ligj me të cilin portalet online do të bëhen media, këto janë kushtet

Qeveria, përmes Ministrisë për Transformim Digjital, ka përgatitur draft-ndryshimet e Ligjit për Media, të cilat “360 Stepeni” ka pasur mundësi t’i shohë. Me këto ndryshime, përveç gazetave, radiove dhe televizioneve, edhe portalet online do të njihen si media, duke u quajtur media online – portale interneti.
Për herë të parë, ndryshimet përcaktojnë që botues i një mediaje mund të jetë person juridik ose fizik që ushtron aktivitet komercial ose jofitimprurës për publikimin e përmbajtjeve informative, arsimore dhe edukative përmes mediave online – portaleve të internetit. Por ka disa kushte:
• Duhet të ketë të regjistruar veprimtarinë në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
• Të ketë selinë dhe redaksinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut,
• Të ketë të regjistruar një domen interneti me .mk ose .мкд.
Kjo do të thotë se të gjithë subjektet që kanë më shumë se një produkt, për shembull – një gazetë dhe një portal, ndoshta do të duhet të regjistrojnë një ent juridik të veçantë për portalin. Megjithatë, televizioneve u bëhet përjashtim nga ky rregull dhe nuk janë të detyruara ta regjistrojnë këtë veprimtari në Regjistrin Qendror.

Për t’u regjistruar në Regjistrin e Botuesve të Mediave Online – Portaleve të Internetit, duhet të plotësohet edhe një kusht tjetër: portali duhet të ketë të paktën tre të punësuar. Ky regjistër do të mbahet nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.
Nga Ministria për Transformim Digjital thonë se ideja për ndryshimet ligjore ka ardhur nga Shoqata e Mediave Online, një organizatë joqeveritare e krijuar nga disa portale interneti.
Qëllimi, sipas kësaj ministrie, është të vendosen të drejta dhe obligime ligjore për portalet online, duke mbrojtur si redaksitë ashtu edhe publikun e tyre. Megjithatë, ata theksojnë se ky ligj nuk do të çojë në mbylljen e portaleve që nuk i plotësojnë këto kushte.
“Ligji parashikon mundësinë që portalet të mos regjistrohen dhe nuk mund t’u ndalohet veprimtaria si media online. Kjo nismë synon profesionalizim më të madh dhe njohje të mediave online si të tilla, duke respektuar disa standarde profesionale, por pa i detyruar ata që nuk duan të jenë pjesë e këtij regjistri,” – tha Miroslav Grozdanovski nga Ministria për Transformim Digjital.