Policia për personin që e grisi Kuranin: Ka të kaluar kriminale, vuan nga një sëmundje psikike

Sot në Prizren është arrestuar një person pasi dyshohet se e ka grisur Kuranin.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha për Express se ai është ndaluar për 48 orë.

Ai shtoi se i dyshuari ka të kaluar kriminale për vrasje, dhunë në familje dhe kanosje, si dhe ka një sëmundje psikike.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës gjegjësisht Drejtoria Kundër Terrorizmit me Drejtorinë Rajonale Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, sot ka arrestuar një person mashkull kosovar, i dyshuar për veprën penale nga KPK Neni 141 “Nxitja e urrejtjes përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. Lidhur me këtë rast po ashtu është bastisur shtëpia ku jeton i dyshuari në rajonin e Prizrenit. Personi në fjalë ka të kaluar kriminale për Vrasje, Dhunë në Familje dhe Kanosje, po ashtu i njëjti vuan nga një sëmundje psikike si dhe ka pranuar tretman psikiatrik obligativ. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.”