Ali Ahmeti: Çdoherë që kujtojmë Jasharajt gjejmë forcën dhe frymëzimin për të vazhduar kauzat kombëtare të përparimit

83
fresco

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka kujtuar sakrificën e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë martirëve të lirisë.

midle

“Sot shënojmë 27 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është një moment që na bashkon të gjithëve, për të nderuar ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës dhe popullit shqiptarë, një popull që nuk u dorëzua, pavarësisht vuajtjeve dhe sakrificave që kaloi. Vendosmëria heroike e Jasharajve përballë barbarisë që me shekuj kishin masakruar, dëbuar dhe ushtruar gjenocid të paparë mbi shqiptarët u bë kushtrim lirie dhe i dëshmuan botës mbarë atdhedashurinë dhe shenjtërinë e lirisë, duke ujitur me gjakun e tyre të pastër përjetësinë e Kosovës sonë. Ata ranë heroikisht i madh e i vogël për tu bërë shembull i mosdorëzimit dhe qëndresës, si dhe na e lënë amanet çlirimin dhe ruajtjen e dinjitetit të tokës ku u lindën dhe u rritën. Në këtë 27-vjetor, kujtojmë me nderim edhe emrin e Komandantit legjendarë Adem Jashari, që është simbol i guximit dhe sakrificës sublime për lirinë e Kosovës. Ai dhe të gjithë familja Jashari e shpallën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një betejë të drejtë dhe të shenjtë, duke u bërë shembuj të pavdekshëm të guximit dhe nderit. Çdoherë që kujtojmë Jasharajt gjejmë forcën dhe frymëzimin për të vazhduar kauzat kombëtare të përparimit. Ata janë përjetësisht një pjesë e shpirtit të Kosovës dhe mbarë shqiptarëve. Lavdi e përjetshme Jasharajve, të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, shkruan Ahmeti.

Comments