Posta shtetërore për dy vite ka çuar llogarinë në minus 4 milionë euro

68
fresco

Posta e Maqedonisë as për vete e as për qytetarët. Nuk është fitimprurëse, por as efikase. Të dhënat financiare që dalin nga raporti vjetor i Agjencisë së Postës për vitin 2024, i cili u gjet para deputetëve në seancën e Komisionit për Transport, tregojnë se në dy vitet e fundit Posta shtetërore punon me humbje, shkruan Alsat.

Në tremujorin e parë të vitit 2024, Posta ka dalë me minus 2.9 milionë euro, ndërsa një vit më parë humbja ka arritur në rreth 1 milion euro.

Situata është krejt ndryshe te 35 postat private në vend, të cilat i bëjnë konkurrencë postës shtetërore. Derisa Posta shtetërore për dy vite ka çuar në minus buxhetin për gjithsej rreth 4 milionë euro, postat private në po të njëjtën periudhë kanë dalë me fitim të përgjithshëm rreth 3.5 milionë euro.

Edhe atë, çuditërisht në rrethana kur në Postën shtetërore numri i të punësuarve është rreth 40% më i lartë se në postat private.

Sipas të dhënave, në krahasim me postat private, Posta e Maqedonisë ka marrë vetëm 2% të kulaçit të përgjithshëm të dërgesave të pakove.

midle

Gjatë vitit 2023, posta shtetërore ka dërguar gjithsej rreth 160 mijë pako, ndërkaq ato private gjithsej rreth 7,4 milionë pako.

Në raport, gjithashtu janë të dhënat edhe për ankesat e qytetarëve, të cilat më të shpeshta janë për humbjen ose dëmtimin e dërgesave, por edhe mosfunksionimin e filialeve të Postës shtetërore. Informata, kanë kërkuar edhe për dërgesat e trafikut ndërkombëtar të cilat, procedurat doganore, por edhe statusin e dërgesave.

Ndër vite, qytetarët ankohen për mungesën e cilësisë së shërbimeve postare nga Posta shtetërore, për shkak të joefikasitetit dhe vonesës së dërgesave. Megjithatë, përveç qytetarëve edhe punëtorët e Postës ankohen për kushtet në të cilat punojnë.

Alsat, në tetor të vitit të kaluar vizitoi Qendrën Logjistike të Postës së Maqedonisë në Shkup, e njohur si Posta 2, e cila është baza kryesore prej ku bëhet shpërndarja e pakove dhe letrave. Objekti është i ndërtuar që në kohën e ish Jugosllavisë dhe prej atëherë nuk është investuar asnjë qindarkë. Madje, kulmi i objektit është prej materialit kancerogjen azbest.

Punëtorët u ankuan për mungesë të kushteve elementare për punë. Mungonte ngrohja përkatëse gjatë dimrit, nuk kishin uniforma, ndërkaq paguheshin mesatarisht me pagë minimale. Kjo, është dhe arsyeja që ky sektor përballet me mungesë të fuqisë punëtore, pasi të rinjtë nuk dëshirojnë të bëhen postierë./ Alsat.mk

Comments