Udhëheqësit e opozitës ukrainase refuzojnë Trumpin, s’pranojnë zgjedhje në kohë lufte

Dy liderët e opozitës ukrainase kanë hedhur poshtë idenë e mbajtjes së zgjedhjeve ndërsa vendi është në luftë. Ish-presidenti Petro Poroshenko dhe Julia Tymoshenko kanë deklaruar se zgjedhjet duhet të zhvillohen vetëm pasi të vendoset paqja.
Deklaratat e tyre vijnë pas komentit të Donald Trumpit, i cili e quajti presidentin Volodymyr Zelenskyy një “diktator” për mosmbajtjen e zgjedhjeve presidenciale. Një narrativë shpesh e përdorur nga Kremlini në përpjekje për të delegjitimuar liderin ukrainas.

Përfaqësues të rrethit të Trumpit kanë zhvilluar bisedime me Poroshenkon dhe Tymoshenkon gjatë së mërkurës, por nga deklaratat e opozitës në Ukrainë duket se liderët nuk janë dakord me planin e SHBA-së për të mbajtur zgjedhje në kohë lufte.
Kushtetuta e Ukrainës nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa vendi është nën ligjin ushtarak dhe do të kishte sfida të mëdha në realizimin e votimit për qytetarët që jetojnë në territoret e pushtuara dhe për ushtarët në vijën e frontit.
Poroshenko tha në Telegram se zgjedhjet duhet të zhvillohen vetëm pasi të jetë vendosur paqja dhe jo më vonë se 180 ditë pas përfundimit të luftës. Nga ana tjetër, Tymoshenko theksoi se ekipi i saj “po bisedonte me të gjithë aleatët tanë që mund të ndihmojnë në sigurimin e një paqeje të drejtë sa më shpejt të jetë e mundur”, duke shtuar se zgjedhjet nuk duhet të mbahen para se kjo të arrihet.