ASH mesazh deputetit Kovaçki: Armata dhe shteti nuk janë “maqedonase”, por të gjithë qytetarëve!

Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës kanë reaguar ndaj deputetit Dragan Kovaçki.
ASH-Sela thonë në reagim se Armata nuk është maqedonase, por e të gjithë qytetarëve dhe se qeverisja aktuale po ofendon dhe degradon kuadrot shqiptar edhe në Armatë.
Reagimi i plotë:
Përmes kësaj përgjigje publike duam t’i bëjmë me dije deputetit Dragan Kovaçki se shqiptarët nuk janë të gjithë si Vleni dhe as nuk janë jetim.
Fillimisht deputeti Kovaçki duhet të bindet se Armata, ashtu si edhe shteti në përgjithësi nuk janë “maqedonase” e aq më pak të një partie, por të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Z.Kovaçki nuk ka nevojë për nervozë, ne flasim me fakte dhe ju duhet tu përgjigjeni fakteve. Për çfarë shteti po flisni, kur të njëjtit person nji herë i është refuzuar certifikata e sigurisë dhe tani të njëjtit i jepet edhe pse kjo nuk lejohet!?
Aleanca për Shqiptarët nuk është “pjesë e mbetur” dhe as uzurpatorë, por përkundrazi, ka qenë dhe vazhdon të jetë përfaqësues legjitim dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në këtë vend. Planet dhe dëshirat tuaja për të shkatëruar Aleancën për Shqiptarët përmes disa vasalëve tuaj kanë dështuar dhe këtë duhet ta kuptoni një ditë e më parë.
Ofendimin dhe baltosjen e kuadrove profesioniste në Armatë duhet ta ndaloni ju, që nga ardhja në pushtet keni degraduar e denigruar profesionistët vetëm pse janë shqiptarë dhe nuk janë të nënshtruar ndaj jush.
E dijmë që Ziadin Sela ju është bërë therrë në sy juve dhe të gjitha qarqeve nacionaliste maqedonase, pasi ai as nuk shitet dhe as nuk frikësohet. As vreri që vjellni ju nuk do ta hesht zërin e tij dhe të çdo anëtari të Aleancës për Shqiptarët, sa herë që ju të tentoni të godisni shqiptarët. Ne do të jemi zëri i çdo ushtari, çdo eprori e gjenerali në Armatën e RMV-së, si edhe çdo qytetari që i cënohet e drejta nga pushteti juaj.
– Aleanca për Shqiptarët