Për herë të parë në historinë e Britanisë – kryeministri shtron iftar për myslimanët në parlament

Për herë të parë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri Keir Starmer iu bashkua myslimanëve britanikë për një iftar në Westminster Hall, duke njohur dhimbjen e luftës në Gaza dhe rritjen e islamofobisë.
Ai dënoi vitin më të keq të regjistruar ndonjëherë për krimet e urrejtjes ndaj myslimanëve, duke fajësuar retorikën e ekstremit të djathtë dhe dezinformimin për nxitjen e përçarjes.
Lideri britanik gjithashtu riafirmoi se palestinezëve duhet t’u lejohet të rindërtojnë dhe e cilësoi zgjidhjen me dy shtete si rrugën e vetme drejt paqes së qëndrueshme.

Kjo ngjarje e organizuar nga Grupi Ndërpartiak Parlamentar për Myslimanët Britanikë, shënoi një moment historik në politikën britanike, pasi asnjë kryeministër në detyrë nuk kishte marrë pjesë më parë në një iftar të Ramazanit me komunitetin mysliman, shkruajnë mediat.
Ndryshe, ezanin e ka thirrur Mesur Kurtishi, i cili ka shpërndarë edhe një video në rrjete sociale teksa ka deklaruar se është i nderuar me këtë rol.
“Qëndrimi në këtë sallë 900-vjeçare, thirrja për namaz, ishte një kujtesë e fuqishme se drita e islamit shkëlqen kudo. Elhamdulilah për këtë begati”, shkroi ai në Instagram.
Ndryshe, rreth katër milionë mysliman llogaritet se jetojnë në shtetin britanik.