Netanyahu prish armëpushimin, 326 palestinezë vriten për pak orë

85
fresco

Të paktën 326 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë vdekur nga bombardimi i Izraelit të martën.

Vetëm nga bombardimi në qytetin Rafah të Gazës janë vrarë 17 anëtarë të një familjeje, përfshirë 12 gra dhe fëmijë.

Spitali Evropian në Gaza që ka tërhequr trupat ka njoftuar se pesë fëmijë janë vrarë bashkë me prindërit, ndërkaq një baba është vrarë me tre fëmijët e tij.

Bombardimi i befasishëm ka prishur armëpushimin e arritur në janar dhe ka kërcënuar vazhdimin e luftës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar sulmin pasi Hamasi refuzoi të përmbushte kërkesat e Izraelit për të ndryshuar marrëveshjen e armëpushimit.

Zyrtarët kanë thënë se operacioni do të zgjerohet, ndërkaq Shtëpia e Bardhë ka deklaruar përkrahjen për veprimet e Izraelit.

Pasi është arritur armëpushimi, palestinezët kishin filluar të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre edhe ashtu të bëra rrafsh me tokë nga bombardimet.

midle

Ata u kthyen me shpresën se lufta tashmë ishte ndalur, por vetëm një muaj më vonë, Izraeli ka nisur sulmet dhe ka deklaruar se tani e tutje do të veprojë me forcë çdo herë e më të madhe ndaj Hamasit.

Sulmi i kryer gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit mund të përkeqësojë edhe më shumë situatën në Gaza.

Deri në muajin janar nga lufta 15 muajshe janë vrarë 47 mijë palestinezë, prej tyre 18 mijë fëmijë, thuhej në një raport të Al Jazeeras.

Ndërkaq, sulmi i së martës ka nxitur dyshimet për fatin e më shumë se 20 pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi. Ata dyshohet se janë ende gjallë.

Mirëpo një zyrtar i Hamasit ka paralajmëruar se vendimi i Netanyahut për të nisur luftën është një farë dënimi me vdekje për pengjet që kanë mbetur.

Hamasi ka akuzuar se Netanyahu ka nisur sulmet për të mbajtur pushtetin pas kritikave për mënyrën e menaxhimit të situatës me pengjet.

Deri të martën nuk është raportuar për sulme të Hamasit. Grupi i armatosur kishte paralajmëruar se mban gjallë shpresën për vendosjen e armëpushimit./Paparaci.com.

Comments