Tjetër masakër në Gaza, 23 palestinezë të vrarë, banorët kërkojnë largimin

Një tjetër masakër ka ndodhur në Rripin e Gazës. Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 23 palestinezë të martën, thanë zyrtarët lokalë të shëndetësisë, ndërsa ushtria izraelite shtoi urdhrat e evakuimit për dhjetëra mijëra banorë në të gjithë enklavën.
Ushtria izraelite u tha banorëve në të gjitha qytetet kufitare veriore që të evakuoheshin, duke thënë se raketa palestineze ishin hedhur në drejtim të Izraelit nga zona.
Qytetet e prekura përfshijnë Jabalia, Beit Lahiya, Beit Hanoun dhe Shejaia në qytetin e Gazës. Urdhra u lëshuan gjithashtu për zonat në Khan Younis dhe Rafah në jug.
“Për sigurinë tuaj, ju duhet të lëvizni menjëherë në jug drejt strehimoreve të njohura,” tha ushtria në urdhrat e saj për banorët në Jabalia, më i madhi nga kampet historike të refugjatëve të Gazës.

Zyrtarët palestinezë dhe të Kombeve të Bashkuara thonë se nuk ka zona të sigurta në Rripin e Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ofensiva e ripërtërirë kishte për qëllim t’i bënte presion Hamasit për të liruar 59 pengjet e mbetura që po mban në Gaza. Rreth 24 prej tyre besohet se janë ende gjallë.
Hamasi, i cili akuzon Izraelin për braktisjen e marrëveshjes së armëpushimit të 19 janarit, tha se po bashkëpunonte me një përpjekje të re, të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, për të rivendosur qetësinë dhe për të përfunduar marrëveshjen trefazore të armëpushimit.
Sipas disa burimeve të Hamasit, nuk ka pasur ndonjë përparim.
Sakaq, regjisori fitues i çmimit Oscar i një dokumentari mbi konfliktin Izrael -Palestinez u arrestua mbrëmjen e së hënës gjatë një përplasjeje mbi një përpjekje të kolonëve për të vjedhur dele nga fermerët palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Hamdan Ballal, regjizori i filmit “No Other Land”, po merrte pjesë në një tubim për Iftar, në fshatin Susiya afër Hebronit, kur një grup kolonësh sulmuan tubimin, thanë dëshmitarët për Reuters.