Tragjedia në Koçan/ BDI: Ata që duhet të japin përgjegjësi janë në liri

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdojnë me akuza ndaj pushtetit për hetimet selektive pas tragjedisë në Koçan. LSDM-ja thotë se hetimi selektiv nuk është hetim dhe si i tillë nuk do të sjellë drejtësi. Social Demokratët pyesin se pse asnjë funksionar aktual, nuk është përfshirë në hetim.
LSDM
Me shqetësim shohim rrjedhën e hetimeve të deritanishme. Të gjitha analizat nxjerrin në pah përshtypjen se ecuria e hetimeve deri më tani ka qenë selektive dhe e fokusuar ekskluzivisht tek ish-zyrtarët dhe nëpunësit civilë. Deri më tani nuk ka asnjë zyrtar aktual, edhe pse tragjedia ka ndodhur pikërisht në kohën kur ata ishin në poste përgjegjëse. Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Pse asnjë zyrtar aktual nuk përfshihet në hetimin e Koçanit?

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se vazhdon edhe më tutje teatri i turpit. Integristët kanë numëruar zyrtarët që janë përgjegjës për ngjarjen në Koçan e të cikët sot nuk janë para drejtësisë.
BASHKIMI DEKOMKRATIK PËR INTEGRIM
MInistri i Punëve të Brendshme – 13 muaj në detyrë, Drejtori për Siguri Publike – 9 muaj në detyrë, Ministri i Ekonomisë, 9 muaj në detyrë, Drejtori i Inspektoratit Shtetërorë të Tregut, 9 muaj në detyrë, Drejtoria e të Ardhurave Publike, 9 muaj me drejtor të ri. Këta janë personat që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, institucionale dhe ligjore, për të ushtruar kontroll, mbikëqyrje dhe për të parandaluar tragjedi të këtij lloji. Këta janë njerëzit që sot kanë pushtet të ndikojnë mbi provat dhe të ushtrojnë presion ndaj dëshmitarëve. Por asnjëri prej tyre nuk mban përgjegjësi. Në vend të kësaj, po shohim një përmbysje të drejtësisë: në paraburgim janë ata që nuk janë në funksion, nuk kanë ndikim institucional, dhe nuk mund të pengojnë procesin. Pra, kjo nuk është drejtësi. Kjo është një transaksion. Një marrëveshje politike
Opozitarët akuza ndaj pushtetit lëshuan edhe ditën e djeshme. E kryeministri akuzave ju përgjigj po me akuza, Mickoski tha se BDI-ja dhe LSDM-ja po tentojnë të keqpërdorin rastin për të ngritur paknaqësinë e qytetarëve duke dashur rastit t’i japin ngjyrim etnik. /tvklan.mk/