Haradinaj: Urgjentisht duhet të dyfishohen pagat për të gjithë sektorin e sigurisë në Kosovë

105
fresco

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka ushtrinë më të re, sipas modelit të NATO-s, të përkushtuar për sigurinë në vend, stabilitetin në rajon dhe të gatshme për operacione paqeruajtëse kudo në botë.

Haradinaj ka thënë se gjithmonë ka qenë në mbështetje te Ushtrisë së Kosovës.

midle

“Të rinjtë tanë vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin e tyre për atdheun dhe sigurinë e vendit. Sot, 344 ushtarë të rinj u certifikuan, duke marrë përgjegjësinë për t’i shërbyer Kosovës me nder dhe përkushtim. Ky është një moment krenarie për ta, për familjet e tyre dhe për gjithë vendin. Me përkushtim të madh, kam qenë gjithmonë në përkrahje të Forcave të Sigurisë, e po me atë përkushtim, ngritëm statusin e Forcës në Ushtri, me përkrahje të aleatëve”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se është urgjencë që të dyfishohen pagat për të gjithë sektorin e sigurisë në Kosovë.

“Sot, Kosova ka ushtrinë më të re, sipas modelit të NATO-s, të përkushtuar për sigurinë në vend, stabilitetin në rajon dhe të gatshme për operacione paqeruajtëse kudo në botë, si anëtare e NATO-s përkrah Amerikës dhe aleatëve tjerë strategjikë. Është urgjencë që të dyfishohen pagat për të gjithë sektorin e sigurisë në Kosovë, sidomos në këto rrethana mbi të cilat gjendet sektori i sigurisë në rajon e me gjerë. Paga e dinjitetshme e ushtarit, policit, inteligjencës e më gjerë është obligim qeveritar e kombëtar. Urime dhe shumë suksese në këtë mision fisnik”, është shprehur Haradinaj.

Comments