Takimi i krerëve të VLEN-it pa epilog, Taravari nuk mori pjesë

Asnjë rezultat nga takimi i mbrëmshëm i VLEN. Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët nuk mori pjesë në takimin e krerëve të këtij koalicioni, ndërkohë që në tryezën e bisedimeve me Mexhitin, Kasamin e Ibrahimin, së bashku edhe me deputetin e pavarur Bekim Qoku, morën pjesë dy përfaqësues të tjerë të Aleancës për Shqiptarët, deputeti Halil Snopçe dhe zv’kryeministri Arben Fetai.

Nga takimi që zgjati mbi tre orë, nuk u dakordësua asgjë konkrete, sic mëson ALSAT. Qëndrimet e palëve mbetën në status-quo-në, njëra kërkonte të dinte se si do të ndaheshin komunat dhe listat, ndërsa pala tjetër kërkonte garanci të forta që Taravari nuk mbështeste BDI-në. Pas bisedimeve të gjata, palët mësohet të kenë rënë dakord, vetëm mbi një gjë – një takim të radhës në ditët në vijim. Më herët gjatë ditës, Taravari pranoi atë që mohonte prej ditësh, 40% e kulaçit, ndërkohë që thoshte se vetëm nga mediat ishte vënë në dijeni të shkrirjes së VLEN në një parti. /Alsat.mk