Prokuroria kërkon paraburgim për Muhsin Arifi, ka kërkuar 100 mijë euro

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim kundër drejtorit të Geriatrisë, Muhsin Arifi i cili dyshohet se ka marrë ryshfet prej 20 mijë eurosh për të shtruar në spital një pacient. Në hetim është i përfshirë edhe një person tjetër, i cili sipas Prokurorisë i ka ndihmuar drejtorit në realizimin e marrjes së ryshfetit. Pacienti i cili është dashur të shtrohet në spital, ka qenë i sëmurë nga disa sëmundje dhe ka pasur rekomandim që të ketë kujdes spitalor në Spitalin e Geriatrisë.

Megjithatë, edhe pse drejtori ka qenë i obliguar ta shtrojë në spital, ai ka kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 mijë eurosh. Drejtori, sipas Prokurorisë, në një takim me dëshmitaren e rastit, ka deklaruar se është informuar se pacienti ka gjendje të mirë financiare, ndërsa ka premtuar ndihmë për shtrim në spital nëse shpërblehet me 100 mijë euro. Dëshmitarja ka reaguar se ato janë shumë para, ndërsa drejtori ka propozuar që pacientit t’i shitet pasuria, konkretisht banesa. Siç njofton Prokuroria, më pas është realizuar edhe një takim, në të cilën është rënë dakord që drejtorit t’i jepen 20 mijë euro që të shtrohet pacienti në spital, ndërsa nëse pas kontrolleve konstatohet se ka pronë shtesë, të sigurohet shuma e përgjithshme prej 100 mijë eurosh. Ndihmësi dhe ndërmjetësuesi i drejtorit, ka shkuar në automjetin e gruas-dëshmitare, dhe në emër të drejtorit ka pranuar 20 mijë euro, pas çka në vendngjarje është kapur nga zyrtarët policorë. Prokuroria ka propozuar masë paraburgimi për të dy të dyshuarit. /Alsat.mk