Sot takohen sërish liderët e VLEN-it

Liderët e VLEN-it pritet që të mblidhen përsëri sonte për të diskutuar për fatin e koalicionit të tyre, gjegjësisht për opsionet me ose pa Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit, shkruan Alsat.
Ky takim vjen dy ditë para se skadon afati i dhënë nga liderët e tjerë për Taravarin, të cilët ditë më parë, thanë se çështja duhet të sqarohet brenda javës dhe Taravari duhet të ndajë mendjen, do të vazhdojë bashkëpunimin me VLEN-in ose me BDI-në.

Krisja mes partnerëve filloi që kur në media u bë e ditur se Taravari ka kërkuar që në zgjedhjet lokale të garohet me lista të ndara të kandidatëve për këshilltarë dhe 40% të kandidatëve për kryetarë.
Liderët e tjerë e kundërshtuan këtë opsion dhe përshpejtuan nismën për shkrirjen në një parti të vetme. Taravari nga ana tjetër kritikoi funksionimin e VLEN-it dhe joefikasitetin e marrjen së vendimeve brenda koalicionit.
“Ne jemi të përkushtuar maksimalisht dhe bëjmë çmos që t’i mbajmë të gjithë partnerët brenda VLEN-it. Ne jemi absolutisht të hapur. Procesin e bashkëpunimit brenda VLEN-it, as kur e kemi bërë dhe as tani nuk e shohim si operacion statistikor ose përqindje, kush sa merr por e shohim si një shpresë e cila duhet të artikulohet për të vazhduar ndryshimi edhe më tej. Andaj pritshmëritë tona vazhdojnë të jenë të mëdha, njëjtë sikurse është edhe gatishmëria për të vazhduar edhe më tutje bashkë”, tha Orhan Murtezani, VLEN, ministër për Çështje Evropiane./ Alsat.mk