Sot ”El Clasico” e basketbollit kosovar, ndeshja e parë gjysëmfinale mes Trepçës dhe Prishtinës

Pas ndeshjeve emocionuese dhe dramatike të çerekfinaleve, është koha për gjysmëfinalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës.
Gjysmëfinale të zjarrta që premtojnë spektakël të basketboll në parket dhe tribuna.
Katërshja e madhe e basketbollit të Kosovës, Bashkimi, Trepça, Sigal Prishtina dhe Peja, duan të kualifikohen në finale, por edhe të fitojnë trofeun më të rëndësishëm në basketbollin e Kosovës.

Në gjysmëfinalen e parë ndeshen kampionia aktuale, Trepça me skuadrën më të trofeshme në vend, Sigal Prishtinën.
Mitrovicasit përfunduan garat e rregullta në pozitën e dytë, me 19 fitore e nëntë humbje, derisa prishtinasit në pozitën e tretë me 17 fitore e 11 humbje, kurse në çerekfinale eliminuan Vëllaznimin pas tri ndeshjeve.
Në katër sfidat e zhvilluara në elitë këtë edicion, bardhekaltrit kanë tri fitore ndaj mitrovicasve që kanë një fitore ndaj prishtinasve.
Këto dy skuadra u përballën edhe në gjysmëfinale të Kupës, ku ‘Xehetarët’ ishin më të mirë nga dy takimet për të kualifikuar në finale, e ku më pas fituan këtë trofe, ashtu si e kanë fituar edhe Superkupën.