Zambrottës i janë deformuar këmbët, kirurgët do “t’ia presin kockat”

66
fresco

Ish-lojtari i Barcelonës, Gianluca Zambrotta, vuan nga një deformim në këmbë.

Ish-mbrojtësi i njohur italian dhe kampion bote me kombin e tij më 2006, Gianluca Zambrotta, ka zbuluar në një intervistë për podcast-in italian BSMT se vuan nga një problem i rëndë shëndetësor që lidhet me këmbët e tij.

Ylli i dikurshëm i Juventusit vuan nga genu varum, një deformim i këmbëve ku gjunjët largohen nga njëri-tjetri dhe këmbët marrin formë harku.

Zambrotta, i cili luajti për dy sezone edhe me Barcelonën, tha se gjendja e tij është përkeqësuar me kalimin e viteve, si pasojë e disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe një predispozite gjenetike.

midle

“Edhe pse nuk pata lëndime të mëdha gjatë karrierës, kam bërë tri ndërhyrje në meniskun e brendshëm. Tani, praktikisht, nuk më kanë mbetur më as këmbë e majtë, as e djathtë. Me kalimin e kohës, këmbët janë përkulur gjithnjë e më shumë. Sot jam si një model laboratorik për shumë kirurgë,” u shpreh ai me ironi.

Ish-lojtari italian sqaroi se për momentin është duke kërkuar zgjidhje mjekësore dhe ka konsultuar disa nga kirurgët më të mirë në vend.

“Kam takuar tre ose katër kirurgë shumë të rëndësishëm në nivel kombëtar, por asnjëri nuk e kupton si ia dal të bëj ende aktivitet fizik me këta gjunjë,” shtoi ai.

Zambrotta pranoi se do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të quajtur osteotomi, gjatë së cilës mjekët do të presin pjesë të vogla të kockave për të ndrequr boshtin e këmbëve dhe për t’i drejtuar ato.

Comments