Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur mbështetjen për Jensen Huang, themeluesin dhe drejtuesin e gjigantit teknologjik Nvidia, pas raportimeve se ai mund të jetë bërë objekt i një operacioni spiunazhi nga Kina. Trump tha se nuk kishte folur me Huang për akuzat, por e cilësoi atë si një person të respektuar dhe vlerësoi kontributin e tij për Shtetet e Bashkuara.
“Nuk kam folur me të për këtë çështje. Di vetëm që është një njeri i mirë, por nuk i dihet kurrë se çfarë po ndodh. Shpresoj që gjithçka të jetë në rregull”.
“Unë mendoj se është një njeri i nderuar”, tha presidenti amerikan, duke vlerësuar se Huang “ka bërë një punë të jashtëzakonshme për vendin tonë”. I pyetur nëse do ta merrte drejtuesin e Nvidia-s me vete në udhëtimin e tij në Azi javën e ardhshme, Trump u përgjigj: “Nuk e di, por sigurisht që do ta merrja”. Ai shtoi gjithashtu se Huang mund të ketë një shpjegim për situatën dhe se duhet dëgjuar versioni i tij.
Deklaratat e Trump vijnë pasi Nvidia njoftoi se ka nisur një hetim për të verifikuar nëse drejtuesi i saj ka qenë objekt i një operacioni të mundshëm të inteligjencës së huaj. Dyshimet u ngritën pas raportimeve në mediat amerikane se Huang kishte krijuar një marrëdhënie të afërt, përfshirë edhe atë personale, me një sipërmarrëse kineze, e cila dyshohet se i kishte përcjellë informacione Pekinit.
Në qendër të çështjes është Alice Huang, emri i vërtetë i së cilës është Huang Le, një sipërmarrëse kineze dhe drejtuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor. Sipas raportimeve, ajo ishte rekrutuar nga Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës, institucioni përgjegjës për operacionet e inteligjencës së Pekinit. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse marrëdhënia me drejtuesin e Nvidia-s ishte pjesë e një plani të mirëfilltë spiunazhi apo nëse shërbimet kineze e shfrytëzuan atë më vonë.
Autoritetet amerikane kishin ngritur dyshime për një operacion të mundshëm që në pranverë. Sipas raportimeve, inteligjenca amerikane kishte përgatitur një memorandum me prova dhe informacione, i cili iu përcoll një grupi të kufizuar zyrtarësh të administratës Trump. Në dosje përfshiheshin edhe fotografi dhe video të Huang dhe Alice-s së bashku në Taipei, gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Vëmendja e autoriteteve ishte përqendruar edhe te kompania Megaspeed. Në vitin 2024, ajo ishte akuzuar nga autoritetet amerikane për transferimin e paligjshëm të mikroçipave të prodhuar në SHBA drejt Kinës, në shkelje të kufizimeve të vendosura për arsye të sigurisë kombëtare. Sipas të dhënave të publikuara, kompania kishte blerë mikroçipa të avancuar të Nvidia-s me vlerë disa miliardë dollarë dhe kishte nisur ndërtimin e qendrave të të dhënave në Azinë Juglindore.
Çështja merr rëndësi të veçantë për shkak të përplasjes mes Uashingtonit dhe Pekinit për kontrollin e teknologjisë së avancuar dhe kufizimeve amerikane ndaj eksportit të mikroçipave drejt Kinës. Huang ka kundërshtuar publikisht këto masa, duke argumentuar se SHBA-të po humbasin një treg me rëndësi strategjike për industrinë e inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, një grup ligjvënësish republikanë në Kongres i kanë kërkuar Huang të paraqitet në një seancë dëgjimore private përpara Komisionit për Kinën, ku pritet të japë shpjegime mbi këtë çështje dhe masat e sigurisë së kompanisë. Ambasada kineze në Uashington i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar raportimet si pjesë të narrativës amerikane për spiunazhin kinez.



