FT: Rusia përdor inteligjencën artificiale për të fabrikuar fitore në luftën në Ukrainë

Njësitë ruse po përdorin video të manipuluara me inteligjencë artificiale për të paraqitur fitore të rreme territoriale në Ukrainë, ka raportuar gazeta britanike “Financial Times” (FT).

Sipas gazetës, njësi të ushtrisë ruse dhe blogerë që mbështesin luftën po shpërndajnë video që duket se janë krijuar ose manipuluar me ndihmën e inteligjencës artificiale, me qëllim zmadhimin e sukseseve të pretenduara në fushëbetejë.

Në mesin e tyre është edhe një video e publikuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, e cila pretendohet se tregon pushtimin e qytetit Dobropillja. Megjithatë, në realitet, forcat ukrainase vazhdojnë të mbajnë pozicionet e tyre në këtë zonë.

Në video vërehet një anomali në lëvizjen e flamurit rus, i cili papritur ndryshon pozicion. Sipas Ruslan Levievit nga grupi hulumtues “Conflict Intelligence Team”, kjo është një nga shenjat që dëshmon se pamjet janë manipuluar.

Edhe Instituti për Studimin e Luftës (ISW), në një analizë të publikuar më 10 shtator, ka identifikuar 35 video të dyshimta të publikuara gjatë periudhës qershor-gusht.

Sipas analizës së institutit, mjetet për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale sugjerojnë se disa prej videove janë prodhuar ose modifikuar me programe si Sora e OpenAI, Seedance apo mjete të kompanisë ByteDance.

Kjo teknikë përfshin shpesh ndërthurjen e pamjeve autentike nga zona të caktuara me kuadro të gjeneruara, ku ushtarë rusë shihen duke valëvitur flamurin e Rusisë.

ISW paralajmëron se kjo e bën më të vështirë verifikimin e pranisë së forcave ushtarake në një zonë, pasi vetëm gjeolokimi i pamjeve nuk përbën më dëshmi të mjaftueshme.

Sipas institutit, qëllimi i këtyre videove mund të jetë dobësimi i mbështetjes perëndimore për Kievin, duke krijuar përshtypjen se linja e frontit ukrainas po shembet.

Megjithatë, ISW vlerëson se bëhet fjalë për iniciativa të njësive të veçanta ushtarake dhe blogerëve pro luftës, e jo për një politikë të centralizuar të ushtrisë ruse.

Një arsye e mundshme për këtë praktikë, sipas raportimit të “Financial Times”, është edhe përpjekja e disa njësive për t’i fshehur dështimet e tyre nga eprorët. Disa prej këtyre videove më pas janë promovuar edhe nga mediat shtetërore ruse dhe vetë Ministria e Mbrojtjes.