Anulohen fluturimet në Belgjikë për shkak të grevës njëditore

Trafiku ajror drejt dhe nga Belgjika sot pothuajse do të ndalet tërësisht për shkak të një greve në nivel kombëtar, përcjell TV21. Organizata belge për kontrollin e trafikut ajror, “Skeyes”, njoftoi se nuk do të mund të garantojë shërbime të rregullta nga ora 07:00 deri në orën 21:00 sipas kohës lokale, pasi punonjësit do t’i bashkohen grevës.

Do të funksionojnë vetëm shërbimet e domosdoshme për raste urgjente dhe fluturimet e tjera me rëndësi kritike për sigurinë. Udhëtarëve u është rekomanduar që të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre pranë kompanive ajrore.

Punonjësit e kontrollit të trafikut ajror po protestojnë kundër politikave të kursimit dhe reformave të qeverisë. Protestuesit thonë se qeveria po vendos barrë të tepruar mbi punëtorët, pensionistët dhe kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.

Si pjesë e ditës së protestave, në Bruksel janë planifikuar edhe demonstrata masive. Përveç trafikut ajror, ndërprerje të konsiderueshme priten edhe në transportin publik. Mund të preken gjithashtu shkollat, zyrat qeveritare dhe shërbimet e grumbullimit të mbeturinave.

Kompanitë ajrore dhe aeroportet kanë kritikuar ndërprerjen e papritur të trafikut ajror, duke paralajmëruar se ajo do të ketë ndikim të madh te udhëtarët dhe do të shkaktojë humbje të konsiderueshme në sektorët e prekur.

Sipas “Skeyes”, vendimi i kontrollorëve të trafikut ajror për t’iu bashkuar grevës ishte i papritur. Edhe pse protesta në nivel kombëtar ishte paralajmëruar shumë kohë më parë, sindikatat nuk kishin dhënë asnjë sinjal se do të merrnin pjesë edhe kontrollorët e trafikut ajror, deklaroi zëdhënësja e kompanisë. Njoftimin e parë për grevën e planifikuar kompania e kishte marrë vetëm të shtunën në mëngjes.

Nga “Skeyes” theksuan se edhe largimi nga puna i një numri të vogël kontrollorësh mund të shkaktojë ndërprerje të mëdha, pasi kualifikimet dhe autorizimet e tyre të specializuara bëjnë të pamundur zëvendësimin e tyre brenda një kohe të shkurtër.

Kompania bëri thirrje për rregulla të qarta ligjore që garantojnë një nivel minimal të shërbimeve gjatë grevave, si dhe për paralajmërimin e detyrueshëm paraprak të aksioneve sindikale.