22 NËNTORI – FESTË E ALFABETIT, POR EDHE TEST I NDËRGJEGJES KOMBËTARE!

Çdo vit, në Manastir festohet 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një festë me rëndësi të veçantë kombëtare për shqiptarët. Edhe sivjet nuk mungoi prania e përfaqësuesve të lartë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike. Me nderime u pritën Edi Rama dhe Albin Kurti.

Meritojnë respekt edhe fjalimet diplomatike të dy kryeministrave shqiptarë, të Shqipërisë dhe Kosovës. Ashtu u takon të flasin për fqinjësi të mirë, respekt të ndërsjellë dhe mosndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër sovran. Kjo është gjuha e diplomacisë dhe e përgjegjësisë shtetërore.

Megjithatë, edhe në këtë ditë kaq të rëndësishme për kombin shqiptar, shumë shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, i mbajnë sytë nga Tirana dhe Prishtina, duke pritur përkrahje simbolike, fjalë të ngrohta dhe shpresëdhënëse, që dëshmojnë se nuk janë harruar.

Ndoshta nuk duhet të kërkojmë ndërhyrje në punët e brendshme të askujt, por as nuk duhet ta ngatërrojmë diplomacinë me heshtjen ndaj shqetësimeve kombëtare. Sidomos shteti shqiptar e ka këtë edhe si obligim kushtetues.

Mos harroni një gjë: lirinë dhe të drejtat që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i gëzojnë sot, edhe pse me vështirësi, nuk ua solli askush nga jashtë. Ato i fituan këtu, me përpjekjet, sakrificat dhe qëndresën e vetë shqiptarëve ndër shekuj.

Pikërisht këta shqiptarë, të cilët sot kanë nevojë për një fjalë përkrahjeje nga Tirana dhe Prishtina, kanë kontribuar historikisht edhe për çështjen kombëtare shqiptare. Siç është shprehur dikur edhe Albin Kurti, shqiptarët e Maqedonisë kanë ndihmuar në rrugën drejt pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndërsa sot, ironikisht, ata ende detyrohen të luftojnë politikisht për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe barazisë kombëtare, në një shtet ku, ndonëse kanë dy shtete shqiptare në fqinjësi, përballen me sfida të vazhdueshme.

Vazhdoj të mendoj se, nëse Shqipëria për shqiptarët është si Gjermania për gjermanët dhe Kosova si Austria, atëherë Maqedonia e Veriut duhet të jetë si Zvicra: një shtet ku shqiptarët duhet të jetojnë me dinjitet, me të drejta të barabarta dhe me identitetin e tyre të paprekur. Për këtë arsye, ndoshta duhet të kërkojmë një rregullim të ri shtetëror, qoft edhe përmes modelit kantonal.

Por, shtrohet një pyetje për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare: A janë pajtuar ato me realitetin e shteteve të ndara, ku secili kujdeset vetëm për interesat e veta?
A do të kemi, pra, marrëdhënie të ngjashme me ato që kanë shtetet me popullsi të ngjashme me tonën, apo do të vazhdojë të ekzistojë edhe përgjegjësia e përbashkët kombëtare?