“Ne para na u sekuestruan, ama s’ishin nga grabitja në Rinasit”, nuk e bindin “Kushtetuesen” dy vëllezërit Çalaj të akuzuar për vjedhjen e 4.6 mln eurove. Rrëzohet kërkesa për rigjykim

“Ne na u sekuestruan para, por asnjëra nga këto kartëmonedha nuk ishte e grabitur në aeroportin e Rinasit”.

Ky argument i dy vëllezërve Klement dhe Eldi Çala, si dhe të tjera të parashtruara, nuk u konsideruan se duheshin kaluar në seancë plenare, çka solli rrëzimin e kërkesës së tyre për rigjykim.

Avokatja Eviola Shehu, që mbron dy vëllezërit e dënuar përkatësisht me 20 dhe 17 vite, kërkoi gjykim kushtetues.

Gjetjet e avokates lidhen me kundërshtimin se drejtësia i konsideroi të implikuar për shkak të qelizave telefonike në të njëjtën zonë me të dyshuarit e tjerë, por që vëllezërit Çala thonë se as lidhjet shoqërore dhe as njohjet nuk i bëjnë ata grabitës.

Pretendimi tjetër është telefonata e nënës së tyre, e cila e shqetësuar flet me të birin fill pas vrasjes së Admir Murataj.

Kjo telefonatë, për vëllezërit Çala, nuk mund të vlerësohej si provë për t’i gjetur fajtorë në rrëmbimin e 4.6 milionë eurove, gjatë sulmit të armatosur në Rinas, ngjarje që gjykatat e konsideruan të kryer nga grup kriminal.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, bëri me dije se Gjykata Kushtetuese thotë se ata u dënuan bazuar në prova si komunikimet në telefon, armët dhe paratë, që janë vlerësuar në harmoni me njëra-tjetrën.

Më herët, Kushtetuesja hodhi poshtë edhe kërkesën e një tjetër të dyshuari, Saimir Çelës, që pretendoi se i ishin shkelur të drejtat dhe u pa si fajtor për shkak të fjalisë në paraburgim: “Çfarë tersi, e dija”.

Të gjithë autorët janë dënuar në total me 122 vite burgim, ndërkohë që Klement dhe Eldi Çala insistojnë se nuk u provua se çfarë roli konkret kishin në grabitje.

Gjykatat më të ulëta thanë se Klement Çala e kishte shok grabitësin e vrarë, Admir Murataj, të cilin e njohu në Greqi dhe jetuan në një qeli.

Në një gjykim të veçuar është dënuar në mungesë me 18 vite burgim edhe Talo Çela. Prokuroria dyshon se grabitja e Rinasit prodhoi krime të tjera që janë nën hetim nga SPAK.

Ishte duke punuar në oborr, si u ekzekutua Selami Hasani në Fier? – Plumbat kapën edhe nipin