“Uroj të marrë fund ky mallkim”, Majko paralelizon situatën aktuale politike me “Gjyqin e Kufomës”.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko shprehet se keqkuptimi ndërmjet brezave, është arsye pse në Shqipëri historia ka evoluar me shpërthimet e pakënaqësisë midis “të rinjve” dhe “të vjetërve” dhe parimeve të “sinodit të kufomës”.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Majko sjell në vëmendje historinë e gjyqit kishtar ndaj Papa Formosit në vitin 897, duke e lidhur atë me zhvillimet historike dhe politike në Shqipëri.

Ai përmend Kongresin e Lushnjës, Kongresin e Përmetit dhe Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, si ngjarje që, sipas tij, shënuan revoltën e të rinjve kundër të vjetërve dhe prodhuan ndryshime të mëdha në vend.

Majko ndalet edhe te periudha e tranzicionit, duke theksuar se shoqëria shqiptare ka rënë në sindromën e “sinodit të kufomës”, si një mënyrë për të justifikuar atë që ka ndodhur në të kaluarën.

Për socialistin, sot shoqëria shqiptare po udhëton drejt një “republike teknologjike”, ndërsa politika nuk njeh mjaftueshëm gjuhën dhe aspiratat e brezit Z.

Në fund të reagimit, ish-deputeti e mbyl me një mesazh që duket mjaft i qartë: Në Shqipëri “sinodi i kufomës” ripikturohet nga çdo brez!… Shpresoj që ky mallkim të marrë fund!

Reagimi i Pandeli Majkos:

SINODI I KUFOMES

Piktura “Sinodi i Kufomës” ose Gjyqi i Kufomës, (në latinisht Synodus Horrenda), është emri i gjyqit kishtar të Papa Formosit! Ai u zhvillua në janar të vitit 897!

Papa Stefani VI, e zhvarrosi kufomën e paraardhësit të tij, Formosit, dhe e solli në gjykatën papnore për gjykim. Në fund të gjyqit, kufoma e Formosit u shpall fajtor dhe papati i tij u shpall i pavlefshëm…

“Sinodi i kufomës” është një histori që përsëritet në Shqipëri!

Kongresi i Lushnjës (i mbajtur nga 21 deri më 31 janar 1920), Kongresi i Përmetit (24 deri më 28 maj 1944) dhe Lëvizja Studentore (8 deri 11 dhjetor 1990) janë ngjarje historike të cilat shënojnë edhe revoltën e të “rinjve” karshi të “vjetërve”!

Ato, kishin protagonistë, Ahmet Zogun 24 vjeç, Enver Hoxhën 35 vjeç, Azem Hajdarin 27 vjeç!…

Këto ngjarje, prodhuan mbretërinë, diktaturën komuniste dhe partiokracinë aktuale!

Komunistët shqiptarë pas Luftës së Dytë kishin byronë politike me shkollimin më perëndimor në gjithë lindjen! Në fundin e viteve 80-të drejtuesit e tyre ishin të zhytur në mediokritet!

Në maj 1992 u zhvarros nga varrezat e dëshmorëve Enver Hoxha! Gjesti ishte simbolik! Pushteti i ri kishte nevojë të vërtetonte “rrëzimin” e të kaluarës!

Në Shqipëri marrëveshja e heshtur për largimin e regjimit komunist, krijoi një boshllëk kujtese. Shoqëria ra në sindromin e “sinodit të kufomës” si justifikim i asaj që kishte ndodhur!

Në periudhën e iluzioneve të Europës (nga prishja e murit të Berlinit deri në fillimin e luftës së Ukrainës), jeta shqiptare u bazua në tre frikësimet kryesore! Frika nga komunizmi! Frika nga përplasja sociale! Frika nga prishja e paqes në rajon!

Në fillimin e viteve 90-të, e majta dhe djathta drejtoheshin nga pedagogë universitetesh!

Sot, shoqëria jonë po udhëton drejt një “republike teknologjike”! Politika nuk njeh mjaftueshëm gjuhën dhe aspiratat e brezit Z!

Keqkuptimi ndërmjet brezave, është arsye pse në Shqipëri, historia ka evoluar me shpërthimet e pakënaqësisë midis “të rinjve” dhe “të vjetërve” dhe parimeve të “sinodit të kufomës”…

Arti ka fuqinë e aktit në histori! Ai nuk vihet në siklet nga faktet por ta përplas historinë me gjithë ngjyrat e saj në fytyrë.

Në Shqipëri “sinodi i kufomës” ripikturohet nga çdo brez!… Shpresoj që ky mallkim të marrë fund!

Atentati në derën e shtëpisë që la të vdekur “Sel Çamin”.