Përfshirja e rritjes së pagave të mësimdhënësve është paraparë në buxhet. Ata në mars do të marrin rritje të pagave prej të paktën 7.5 për qind, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.Janevska theksoi se atë që e kanë premtuar, po e realizojnë.Ministrja u pyet edhe se pse Qeveria tani ka vendosur t’i ulë bllok dotacionet për shkollat fillore dhe të mesme, për herë të parë që nga viti 2008, si dhe nëse me këtë rrezikohet bllokimi i llogarive të disa shkollave. Janevska tha se në arsim më në fund duhet të rregullohen disa anomali që kanë ekzistuar deri më tani.
Ajo shtoi se formula e re për shpërndarjen e drejtë të mjeteve çon drejt optimizimit të rrjetit të shkollave. Me këtë rast, ajo iu referua faktit se janë mbyllur, përkatësisht janë bashkuar 433 paralele.“Me këtë rast kemi pasur parasysh si arsimin fillor, ashtu edhe atë të mesëm. Mësimdhënësit të cilët, si pasojë e bashkimit të paraleleve, faktikisht nuk do të kenë numër të mjaftueshëm të orëve mësimore, në arsimin fillor të kalojnë në qëndrimin ditor, ndërsa në klasat më të larta të arsimit fillor, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, si dhe në arsimin e mesëm, të zhvillojnë aktivitete shtesë në shkolla, për të cilat flasim vazhdimisht: aktivitete jashtëmësimore, punë me interes shoqëror, përkujdesje për nxënësit e talentuar dhe për fëmijët që kanë ngecje në mësim. Që këtë proces ta përmbyllim brenda rreth katër, maksimumi pesë vjetësh”, tha Janevska.
Ajo përsëriti se gjatë kësaj periudhe nuk mund të ketë punësime të reja të mësimdhënësve.“Sepse sistemi arsimor në të kaluarën ka shërbyer si sistem social. Ka ruajtur paqen sociale dhe ka sistemuar mësimdhënësit e papunë. Ndërkohë, askush nuk është kujdesur për numrin e atyre që diplomojnë në profile të caktuara dhe për numrin e atyre që punësohen. Më në fund kemi filluar ta bëjmë këtë. Konsiderojmë se nuk do të ketë dëme në procesin arsimor. Përveç kësaj, komunat, krahas kujdesit për numrin e nxënësve dhe mësimdhënësve, duhet ta menaxhojnë komunën në mënyrë të përgjegjshme. Ato kanë mundësi të ndryshme për t’i ndihmuar shkollat, përkatësisht për t’i zhvilluar shkollat në komunën e tyre dhe më në fund të hyjmë në një proces të konkurrencës ndërmjet shkollave të komunave të ndryshme, në vend që sistemi arsimor të vazhdojë të shërbejë si masë sociale në shtet”, tha ministrja Janevska.


