Greva në Belgjikë paralizon transportin, anulohen qindra fluturime

Qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet e trenave janë ndërprerë në të gjithë Belgjikën, si pasojë e një greve kundër masave shtrënguese ekonomike të planifikuara nga qeveria.

I gjithë trafiku ajror është pezulluar në aeroportin Zaventem të kryeqytetit, Bruksel, si dhe në aeroportin e Charleroi-t, ku operojnë kompani ajrore me kosto të ulët, si Ryanair.

Edhe trenat dhe linjat e metrosë janë ndalur në Bruksel, ku pritet që një numër i madh qytetarësh t’i bashkohen një marshimi proteste.

Protesta zhvillohet në një kohë kur kryeministri Bart De Wever ende nuk ka arritur një marrëveshje me partnerët e koalicionit për miratimin e një buxheti që synon uljen e shpenzimeve. Në fillim të këtij muaji, Mbreti Philippe nuk e pranoi dorëheqjen e tij, duke i dhënë De Wever më shumë kohë për të vijuar negociatat.

Për shkak të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror, asnjë fluturim nuk do të ngrihet apo ulet në aeroportin e Brukselit nga ora 07:00 deri në orën 21:00, sipas orës lokale (06:00-20:00 GMT).

Mbi 50 mijë udhëtarë janë prekur nga ndërprerjet e udhëtimeve, ndërsa pritet që numri i tyre të rritet gjatë natës dhe ditën e martë.

Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe në aeroportin e Charleroi-t, ku të gjitha fluturimet figuronin me statusin “të planifikuara”, pavarësisht orarit të nisjes apo mbërritjes.

“Pa kontrollin e trafikut ajror, asnjë avion nuk mund të ngrihet apo të ulet”, deklaroi aeroporti të shtunën, kur u njoftua për grevën, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike”.

Ndërsa mijëra qytetarë u mblodhën në Bruksel për marshimin protestues, kreu i një prej sindikatave kryesore të vendit, FGTB, deklaroi se qeveria ka alternativa të tjera përveç “shkatërrimit të sistemit të mbrojtjes sociale”.

“Një taksë e vërtetë mbi pasurinë, një sistem i drejtë tatimor dhe eliminimi i përjashtimeve fiskale”, tha Bert Engelaar, drejtues i FGTB-së.

“Përgjegjësia politike nuk është të mbash një qeveri në këmbë me çdo kusht. Ajo qëndron te të dish se kur duhet të ndalesh”, u shpreh Engelaar.

Ai vlerësoi qëndrimin e partisë së majtë Vooruit, e cila raportohet të jetë e vetmja nga pesë partitë e koalicionit qeverisës që ka penguar deri më tani arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin.

Vooruit kërkon rritjen e taksave për qytetarët më të pasur dhe reduktimin e shkurtimeve të planifikuara në pensione dhe në sektorin e shëndetësisë.

Ndërkohë, një tjetër drejtues sindikal, Ann Vermorgen, nga CSC, kritikoi planet e qeverisë për të shkurtuar ditët e pushimit zyrtar kur ato përkojnë me fundjavat.

Ndërprerje të shërbimeve po raportohen gjithashtu në transportin publik, shkolla dhe shërbime të tjera publike.