Nuri Sojliu: Një nga Firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë

339

Nuriu u lind në Strugë, rreth vitit 1872 dhe ishte djali i tretë i Fatime dhe Murat Mustafa Bakallit (Sojli). Ai u lind dhe u rrit në një familje me tradita brez pas brezi patriotike, si nga ana e të atit, ashtu dhe nga ana e së ëmës. Nuriu u rrit së bashku me vëllezërit e tij, Abdullah, Ibrahim, dhe motrën Xhemile. Murati dhe tre djemtë e tij, Nuri, Ibrahim Temo, dhe Abdullah janë të njohur në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare për aktivitetin e tyre politik në dobi të çështjes shqiptare. Duke qenë se për kohën ata ishin të shkolluar, u mbeti dhe epiteti “efendi”. Mësimet e para Nuriu i mori në vendlindje. Më pas, ai kreu shkollën e mesme për financë në Stamboll. Kryeqyteti i perandorisë otomane, ishte qendra e lëvizjes patriotike e atdhetarëve shqiptarë. Këtu ndodhej edhe vëllai i Nuriut, Dr. Ibrahim Temo, i cili ishte i njohur dhe i lidhur me rrethet përparimtare dhe mik i Sami, Abdyl e Naim Frashërit, etj, etj. Shumë shpejt hyn në lidhje me këto rrethe, lidhje që do t’i vazhdonte dhe do t’i çonte më tej kur kthehet në vendlindje. Vetë Nuriu ka qenë mik dhe ka mbajtur lidhje me shumë patriotë të kohës, si: Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Aleksandër Xhuvanin, Kol Bojaxhiun (i ati i Nënë Terezës), Qenan Beun (i shoqi i Alije Hanmit, që ishte vajza e Ismail Qemalit dhe banonte në Strugë), Doktor Hafëz Myrteza Ali Strugën, Ahmet Daklin, Lef Nosin, Hamdi Ohrin, Zyhdi Ohrin, Hajdar Blloshmin, Kristo Meksin, Nexhip Dragën, Sali Gjukën, Dervish Himën, Mustafa Barutin, Murat Toptanin, Aqif Pashë Biçakun, Vehbi Dibrën, Mihal Gramenon, etj, etj. Kthehet në vendlindje, pranë gjirit të familjes në Strugë dhe martohet me Fatime Hysen Nasuf nga Veleshta e Strugës. Së bashku, ata patën 10 fëmijë (4 djem dhe 6 vajza). Nuriu punësohet si financier në administratën osmane. Në vitin 1905 ai është në Shkup. Ndërsa në vitin 1908 është financier në Starovë, ku dhe pushohet nga puna për aktivitet patriotik. Mësimi i gjuhës shqipe ishte një çështje tashmë e rëndësishme për të gjithë patriotët shqiptarë. Shtëpia e Nuriut dhe ajo e një atdhetari tjetër shqiptar, Beqir Agës, ishin shkolla të fshehta, ku të rinjtë struganë mësonin fshehur gjuhën e nënës së tyre, gjuhën shqipe. Nuriu ka mbështetur Kongresin e Manastirit dhe përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe, ndërsa i vëllai i tij Dr. Ibrahim Temo kishte nofkën “Latinisti”, pasi ai jo vetëm luftonte për shkrimin e gjuhës shqipe me germa latine, por edhe gjuha turke të shkruhej me germa latine për të shpëtuar nga “shkronjat si këmbëlaraska të osmanishtes së vjetër”. Shtëpia e familjes së Nuriut në Strugë është bastisur dhe kontrolluar nga qeveria osmane më 1889, kur Dr.Ibrahim Temo erdhi në Strugë, pranë të atit, për pushimet verore të shkollës dhe për të krijuar në Ohër degë të shoqërisë “Bashkim dhe Përparim”, të ideuar nga ai dhe themeluar me tre shokë të tij, më 13 maj 1889, në Stamboll. Këtu ai arrestohet dhe ndërkaq, autoritetet kërkonin shtëpinë e të atit, Muratit, për të gjetur dhe për të marrë çdo letër apo dokument që mund të gjenin dhe kishte lidhje me aktivitetin e tyre patriotik për çështjen shqiptare. Ato u përsëritën, nga turqit e më pas nga serbët. Bastisje, kontrolle dhe arrestime ndodhën përsëri në vitet 1901, 1902. Në 1907, shtëpia e Sojlinjve rrethohet nga detashmenti ushtarak turk dhe Murati, së bashku me të dy djemtë e tij, Abdullahun dhe Nuri Sojliun u arrestuan dhe u burgosën si propagandues të gjuhës shqipe. Mbas disa javësh të mbajtur në burg, ata u liruan për mungesë provash. Siç dihet, veprimtaria e patriotëve shqiptarë, zhvillohej në fshehtësi të plotë. Murati, së bashku me tre djemtë e tij: Abdullahun, Dr.Ibrahim Temon dhe Nuriun, ishin gjithmonë në vëzhgim të autoriteteve. Në një korrespondencë ndërmjet kryekonsullit të konsullatës osmane në Kostancë, dërguar Vilajetit të Janinës, që mban datën 31 Maj 323 (Maj-Qershor 1907 L.R) me Nr. 553, pasi shkruhet për aktivitetin e Dr. Ibrahim Temos, i kërkohet kryekonsullit, të hetojë vëllezërit e tij, miqtë, farefisin dhe të afërmit e tij, si dhe të gjithë ata që shoqërohen me ta. Në vitin 1908, përsëri arrestohen Murati, Abdullahu dhe Nuriu, por u liruan nga mbështetja që i bënë patriotët dhe populli i Strugës, të cilët protestuan para autoriteteve vendore. Në lëvizjen politike të vitit 1908, e njohur nga populli si “Hyrieti”, edhe Nuriu, së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes dhe popullin e Strugës, mori pjesë në këtë lëvizje dhe dha kontributin e tij për rrëzimin nga froni të Sulltan Abdyl Hamidit. Në 24 Korrik 1908, kur Sulltan Hamidi dorëzoi pushtetin, krahas festimeve që u zhvilluan me këtë rast, edhe në qytetin e Strugës, Nuriu i dërgon një telegram vëllait të tij Dr. Ibrahim Temos në Konstancë me këtë përmbajtje: “Nga Struga. Ju japim sihariqin për fitoren e Hyrietit. Në emër të degës Nuri Sojli”, gjë që tregon aktivitetin dhe kontributin e Nuriut në shoqërinë “Bashkim e Përparim” në Strugë, themelues i së cilës në Stamboll, siç e përmenda më lart, ka qenë vëllai i tij Dr. I. Temo. Pas fitores së “Hyrietit” krijohet në Manastir, më 1 shtator 1908 Klubi “Bashkimi”, që u pasua me krijimin e shumë klubeve të tjera “Bashkimi” në qytete të ndryshme shqiptare. Ideator për krijimin e një klubi të tillë në Strugë mund të mendojmë Dr.Ibrahim Temon, i cili, në shtator 1908, kishte ardhur në Strugë pranë familjarëve të tij. Aktiviteti i Nuriut vazhdon edhe me krijimin e Klubit “Bashkimi” në Strugë. Prof. Dr. Ramiz Avdyli shkruan se “… me nismën e klubit shqiptar “Bashkimi” të Stambollit, në gjysmën e dytë të nëntorit u formuan klubet shqiptare të Dibrës, të Strugës dhe të Ohrit…klubet ishin vazhdimësi e Komiteteve të Fshehta “Për Lirinë e Shqipërisë”…por që në rrethanat e reja, nga pikëpamja formale juridike vepronin në mënyrë legale.” Anëtarët e këtij klubi kanë marrë pjesë në të gjitha Kongreset dhe Kuvendet e ndryshme Kombëtare, i kanë mbështetur vendimet e tyre dhe i kanë zbatuar ato. Nuriu ka qenë një prej tyre. Në Kongresin e Elbasanit (1909), Nuriu ka qenë i ftuar, ndërsa vëllai i tij Abdullah Efendiu, ka qenë delegat i Strugës në këtë Kongres. Klubi “Bashkimi” i Strugës ndihmoi dhe financiarisht për Shkollën. Ky klub, më 12 dhe 18 shkurt 1910, i drejtohet me letra “Komisionit të Përparimit Arsimor” në Stamboll, ku i kërkon 100 lira turke për hapjen e shkollës shqipe në Strugë. Nuriu, si anëtar në Këshillin drejtues të Klubit “Bashkimi” në Strugë, mbante lidhjet me klubet, shoqëritë, Komitetet e fshehta “Për Lirinë e Shqipërisë”, administratën, atdhetarë Shqiptarë, etj. Ai shkonte dhe vetë në klubet e Shkupit, Manastirit, Elbasanit, Dibrës, etj, takohej me pjesëtarët e tyre dhe është e natyrshme që merrte udhëzime për koordinimin e zhvillimin e mëtejshëm për veprimtarinë e Klubit të Strugës. Klubi “Bashkimi” i Strugës, është klubi i fundit “Bashkimi” që mbylli aktivitetin e tij më 21 nëntor 1912. Nuriu, po atë ditë, mblodhi dokumentet dhe të hollat e Klubit dhe së bashku me komshiun, mikun e tij, Dr. Hafëz Myrteza Ali Struga dhe Zyhdi Ohrin, të shoqëruar nga anëtarë të çetave të Strugës dhe me patriotë struganë, u nisën për në Elbasan, e prej andej në Vlorë. Në një situatë tepër të vështirë dhe të rrezikshme, kur ushtritë serbe, malazeze, bullgare dhe ato greke po sulmonin dhe po pushtonin njëra pas tjetrës qytetet shqiptare në veri dhe jug të Shqipërisë, mbajtja e Kuvendit të Vlorës u përshpejtua. Në mbledhjen e parë të Kuvendit të Përgjithshëm 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1912, në vërtetimin e kartave të delegatëve nga Ohri dhe Struga janë: Z. Zyhdi Beu, Dr. Myrtezai dhe Nuri Efendi Sojliu. Aktin e Shpalljes të Pavarësisë së Shqipërisë e firmosën ata delegatë që mundën të arrijnë në Vlorë në atë moment historik dhe solemn. Ndërmjet 40 firmave të delegatëve nga të gjitha krahinat shqiptare, figurojnë emrat e Dr. H. Myrteza, Nuri (Sojliu) dhe Zuhdi Ohria, ky i fundit i veshur me kostumin kombëtar, të treja të nënshkruara në gjuhën shqipe. Nuriu në foton e bërë më 28.11.1913, me rastin e përvjetorit të parë të shpalljes së Pavarësisë, e njohur si foto e delegatëve që morën pjesë në Vlorë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, është i katërti në rjeshtin e parë, në krah të majtë të Ismail Qemalit. Edhe pas vitit 1912, Nuriu nuk e ndaloi aktivitetin e tij, edhe kur Struga u pushtua nga Serbët dhe as në Mbretërinë Serbe. Ka të dhëna se Nuriu ka qenë organizator i kryengritjes së Petrinjës. Në një letër të Nuriut, dërguar nga Ohri, në vitin 1913, vëllait të tij Dr.Ibrahim Temos në Rumani, i shkruan për masakrat e Serbëve ndaj shqiptarëve. Nuriu mbështeti të gjitha lëvizjet politike me karakter demokratik. Më 22 prill 1914, Nuriu gjendej në Durrës pranë Princ Vidit dhe i dërgon nga Durrësi një kartolinë me pamjen e Princ Vidit vëllait të tij Dr.Ibrahim Temos në Konstancë, ku i shkruan se serbi kudo dhe në Ohër, po mbledh taksat e dy vjetëve dhe se të gjithë po ikin në male. Në fund të majit dhe deri në shtator të vitit 1914, Dr. Ibrahim Temo gjendet në Durrës pranë Princ Vidit. Në vitin 1924, në krye të një përfaqësie të Strugës, Nuri Sojliu shkon në Tiranë dhe takohet me Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin. Në vitin 1937, së bashku me vëllain e tij, Dr. I. Temo, të ftuar nga Komisioni i kremtimit të 25 vjetorit të Pavarësisë dhe nga Bashkia e Tiranës, marrin pjesë në kremtimet që u bënë me këtë rast. Pas formimit të Prefekturës së Dibrës në Gusht 1941, në nënprefekturën e Strugës, Kryetar i Bashkisë së saj u emërua Xhemal Abdullah Sojli, ndërsa kryetar i Komunës së Vevçanit, që varej nga kjo nënprefekturë ishte Mentor Xhemal Sojli. Sipas dëshmimeve gojore, në parakalimin e organizuar me rastin e një feste për shqiptarët në Strugë, kur Prefekt ka qenë Riza Drini, vajza e vogël e Nuriut, Hajrija, ka parakaluar e veshur me kostumin tradicional shqiptar, ndërsa vetë Nuriu ka parakaluar përpara autoriteteve qeveritare me flamurin shqiptar, të qëndisur nga dy vajzat e tij të tjera, Shadije dhe Hadije. Nuri Sojliu ndërroi jetë në shtëpinë e tij, në Strugë, në vitin 1947. Në ceremoninë mortore të tij, morën pjesë autoritetet e vendit dhe gjithë populli i Strugës. Në ballkonin e shtëpisë së tij janë mbajtur fjalime. Arkivoli i tij, i mbuluar me flamurin shqiptar, u përcoll në banesën e tij të fundit, me respektin që meritonte, si nga familjarët, farefisi, autoritete të vendit dhe nga populli i Strugës. Ka të dhëna se ka pasur dhe të shtëna armësh. Nuriu prehet edhe sot në varrezat myslimane të qytetit të Strugës.

NË KUADRIN E FESTIMEVE ME RASTIN E 100-VJETORIT TË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, MË 28 NËNTOR 1912, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS, BAMIR TOPI, NË FESTËN E ORGANIZUAR, MË 27.06.2012, NË QYTETIN E VLORËS, VENDOSI NË MUZEUN E PAVARËSISË, DEKORATËN “NDER I KOMBIT”, E DHËNË PËR TË 40 FIRMËTARËT E DOKUMENTIT TË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË. PASARDHËSVE TË FAMILJEVE TË TYRE IU DHA NGA NJË CERTIFIKATË. NË CERTIFIKATËN ME NR. PROT. 1340, DATË 26.06.2012, SHKRUHET: “PATRIOTI NURI SOJLIU BËN PJESË NË “GRUPIN E FIRMËTARËVE TË DOKUMENTIT TË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, 28 NËNTOR 1912”, DEKORUAR ME URDHRIN “NDERI I KOMBIT”, ME MOTIVACIONIN “PËR MERITAT E TYRE HISTORIKE, SI FIGURA TË SHQUARA TË KOMBIT DHE ROLIN E TYRE MADHOR NË KRIJIMIN DHE SHPALLJEN E SHTETIT TË LIRË E TË PAVARUR SHQIPTAR, SI FINALIZIM I LUFTËS DHE PËRPJEKJEVE TË PARESHTURA TË POPULLIT LIRIDASHËS SHQIPTAR NË RRJEDHË TË HISTORISË”.

Mbesa e tij Lumturi Risvani (Përnaska)

/gazeta-shqip.com/

Comments