Rebelët Huthi të Jemenit kanë goditur sërish rrokaqiellin më të lartë në kryeqytetin saudit, Riad, duke lënë të plagosur të paktën 11 persona dhe duke shkaktuar dëme materiale në ndërtesën ikonike.
Autoritetet e Arabisë Saudite kanë konfirmuar sulmin e fundit, ndërsa kanë publikuar edhe fotografi që tregojnë dëmet e shkaktuara në fasadën e rrokaqiellit.
Në këtë ndërtesë, e cila ndodhet në qendrën financiare të Riadit, janë të vendosura edhe zyra të rëndësishme shtetërore, përfshirë ato të Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite.
Ky është sulmi i dytë ndaj të njëjtit objekt brenda një jave. Edhe të enjten e kaluar, rrokaqielli ishte shënjestruar nga rebelët Huthi, por në atë rast nuk ishte raportuar për persona të lënduar.
Sulmin e parë, koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, e kishte cilësuar si një “sulm terrorist”.
Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit perëndimor, përfshirë kryeqytetin Sanaa. Kohëve të fundit, ata kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, duke vënë në shënjestër aeroporte, objekte të industrisë së naftës dhe ndërtesa administrative.
Përshkallëzimi i situatës së sigurisë ka ndikuar edhe në transportin ajror, me anulimin e disa fluturimeve ndërkombëtare drejt Riadit.
Ndërkohë, për shkak të situatës së krijuar, autoritetet saudite kanë shtyrë edhe organizimin e Kupës Aziatike të Futbollit, e cila ishte planifikuar të zhvillohej këtë vit. Kompeticioni pritet të mbahet në dhjetor të vitit 2027.
https://x.com/ElDjazair_Daily/status/2125288425272000922?s=20


