Teologu i njohur shqiptar, Ardian Sejdiu, ka reaguar ashpër lidhur me gjendjen aktuale të furnizimit me energji elektrike në Kosovë, duke kritikuar institucionet shtetërore dhe kompanitë përgjegjëse për sektorin energjetik.
Përmes një reagimi publik, Sejdiu ka ngritur shqetësimin për ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, nga të cilat, sipas tij, po preken dhjetëra mijëra qytetarë, të cilët prej dhjetë ditësh po përballen me mungesë të vazhdueshme të energjisë elektrike.
Ai ka drejtuar kritika ndaj politikës dhe korporatave KEK dhe KEDS, duke vënë në pikëpyetje përgjegjësinë për gjendjen e krijuar dhe mungesën e zgjidhjeve afatgjata.
Sejdiu thekson se kjo situatë po përsëritet pothuajse çdo dimër prej gati një dekade, ndërsa arsyetimet e institucioneve mbeten të njëjta dhe problemet nuk po marrin zgjidhje.
Në reagimin e tij, teologu ka ngritur edhe çështjen e faturave të energjisë elektrike, duke kërkuar llogaridhënie për mënyrën se si shpenzohen paratë e qytetarëve.
“Ku shkon kjo para që i merret qytetarit të shkretë për çdo muaj, çka duhet me dhënë ma shumë?”, ka shkruar Sejdiu.
Në fund, ai ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj politikëbërjes shqiptare, duke e cilësuar atë si një nga faktorët që, sipas tij, kanë ndikuar në gjendjen e vështirë të qytetarëve.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur furnizimi me energji elektrike dhe përgjegjësia e institucioneve për këtë sektor vazhdojnë të jenë ndër çështjet që shkaktojnë shqetësim dhe pakënaqësi te qytetarët e Kosovës.


