Gaza nën sulmet izraelite, 5 palestinezë të vrarë, mes tyre zëvendësministri i Arsimit dhe bashkëshortja e tij

Pesë palestinezë, përfshirë zëvendësministrin e Arsimit dhe bashkëshorten e tij, u vranë të enjten në orët e para të mëngjesit në dy sulme izraelite në Rripin e Gazës, mes sulmeve të vazhdueshme izraelite, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim.

Një burim mjekësor në Spitalin e Dëshmorëve të Al-Aksës i tha Anadolu-t se një burrë palestinez dhe bashkëshortja e tij u vranë, ndërsa persona të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit që shënjestroi një apartament në një ndërtesë banimi në qytetin qendror të Deir al-Balahut.

Burime lokale dhe dëshmitarë i thanë Anadolu-t se nga sulmi u vranë Khaled Mahmoud Abu Nada, 56 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Abeer Mohammed Abu Nada, 49 vjeçe. Burimet e identifikuan Abu Nadën si zëvendësministër të Arsimit në Rripin e Gazës.

Në Gazën veriore, një burim mjekësor në Spitalin al-Shifa tha se në këtë institucion kishin mbërritur trupat e tre palestinezëve dhe një personi të plagosur rëndë në një sulm izraelit në kampin verior të refugjatëve al-Shati.

Burime lokale palestineze i thanë Anadolu-t se një dron izraelit shënjestroi një grumbullim civilësh në kamp, duke vrarë tre persona dhe plagosur një tjetër.

Ndërkohë, ushtria izraelite hodhi në erë shtëpi palestineze dhe struktura të tjera pranë pozicioneve ku janë dislokuar forcat e saj, në lindje të kampit të refugjatëve al-Maghazi, në Gazën qendrore, ndërsa nga automjetet ushtarake u qëllua me armë zjarri në mënyrë intensive.

Dëshmitarët i thanë Anadolu-t se gjatë shembjeve u dëgjuan dy shpërthime të fuqishme në pjesë të mëdha të Rripit të Gazës.

Pavarësisht marrëveshjes për armëpushim, e cila hyri në fuqi më 10 tetor 2025, Izraeli ka vazhduar sulmet në Gaza, duke vrarë 1.679 palestinezë dhe plagosur 6.100 të tjerë, sipas shifrave të publikuara të hënën nga Ministria e Shëndetësisë.

Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza, e cila filloi në tetor të vitit 2023, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 74.000 palestinezëve, ka plagosur mbi 176.000 të tjerë dhe ka shkatërruar rreth 90% të infrastrukturës së enklavës. Shumica e të vrarëve dhe të plagosurve ishin gra dhe fëmijë./AA