Ushtarakët serbë në Prishtinë takohen me KFOR-in: Institucionet e Kosovës heshtin

Përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë janë takuar me përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në kampin “Film City” në Prishtinë.

Takimi është mbajtur të enjten, më 26 nëntor, në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes (JIC), mekanizëm përmes të cilit KFOR-i dhe ushtria serbe mbajnë komunikim dhe koordinohen për çështje të sigurisë.

Lajmi është bërë publik nga vetë KFOR-i, përmes një njoftimi në rrjetin social X, ku është konfirmuar takimi me homologët nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF).

Ajo që bie në sy është mungesa e reagimit publik nga institucionet e Kosovës. Deri në publikimin e këtij raportimi, nuk është bërë i ditur ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës për takimin e ushtarakëve serbë në kryeqytet.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se marrëveshjet ekzistuese vazhdojnë të përbëjnë një kornizë të qëndrueshme për bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet dy palëve.

“KFOR-i dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, përmes Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes, mbajnë marrëdhënie të bazuara në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë”, thuhet në komunikatën e misionit të NATO-s.

Sipas KFOR-it, ky mekanizëm mundëson komunikim transparent dhe në kohë për çështjet që lidhen me të ashtuquajturën Vijë Administrative Kufitare (ABL) dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake (MTA).

Megjithatë, KFOR-i nuk ka bërë të ditur se cilat çështje konkrete janë diskutuar në këtë takim dhe as identitetin e përfaqësuesve të ushtrisë serbe që kanë marrë pjesë.

Takimet e KFOR-it me ushtrinë serbe, mekanizëm që funksionon që nga viti 2001

Takimet ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve të ushtrisë serbe nuk janë praktikë e re. Sipas njoftimeve të mëhershme të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, takimet e rregullta në nivele të ndryshme zhvillohen që nga viti 2001, mbi bazën e reciprocitetit.

Komisioni i Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes është krijuar pas Marrëveshjes Teknike Ushtarake të qershorit 1999, e cila parashihte tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e forcave ndërkombëtare të sigurisë.

Takimet e këtij mekanizmi zhvillohen për çështje që lidhen me zbatimin e marrëveshjes dhe koordinimin përgjatë vijës administrative Kosovë-Serbi.

Një vizitë e tillë në Prishtinë kishte shkaktuar reagime në Kosovë edhe në të kaluarën. Më 1 gusht 2014, në Prishtinë kishte qëndruar gjenerali i atëhershëm i ushtrisë serbe, Ljubiša Diković, për një takim me komandantin e KFOR-it.

Ndërkaq, vetëm pak ditë para takimit në “Film City”, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kishte qëndruar në Beograd, ku ishte takuar edhe me zyrtarë të ushtrisë serbe.

KFOR-i ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij, të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.