Hasanbegu vishet kuq e zi në prag të 28 Nëntorit, të rinjtë japin shembullin e dashurisë për flamurin kombëtar!

Në prag të festës së 28 Nëntorit, Hasanbegu është veshur kuq e zi. Me iniciativën e të rinjve të lagjes, sot janë vendosur flamujt kombëtarë përgjatë rrugëve, duke i dhënë lagjes një pamje festive dhe duke përcjellë një mesazh të fuqishëm të dashurisë dhe respektit për simbolin kombëtar shqiptar.
Banorët e lagjes Hasanbeg treguan vullnet dhe përkushtim, duke kontribuar që kjo festë e rëndësishme kombëtare të shënohet ashtu siç i ka hije. Një iniciativë që dëshmon se dashuria për flamurin nuk shprehet vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Hasanbegu ndër vite ka dëshmuar se ka pasur djem që nuk janë kursyer në momentet më të vështira të historisë. Kjo lagje ka dhënë edhe dëshmorë, ndërsa një nga emrat që lidhet me historinë e saj të luftës është komandanti Harun Aliu – Komandant Kushtrimi.

Një nga të rinjtë pjesëmarrës në këtë iniciativë, duke folur për rëndësinë e flamurit, u shpreh:
“Ky është simboli ynë kombëtar. Duhet ta respektojmë dhe ta nderojmë në çdo vend dhe në çdo festë kombëtare.”

Vendosja e flamujve në Hasanbeg është më shumë se një zbukurim festiv. Është një shenjë përkatësie, respekti për historinë dhe një mesazh që tradita kombëtare përcillet nga brezi në brez.