BURSË, TURQI – Festa e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, u shënua me një koncert madhështor në qytetin e Bursës në Turqi, ku protagonistë ishin vëllezërit nga Shkupi, Mevlan dhe Nusret Kurtishi.
Koncerti u organizua enkas për festat e Nëntorit nga kompania Makam Events, duke mbledhur një numër të madh bashkatdhetarësh dhe dashamirësish të muzikës shqiptare. Salla e madhe në Bursa ishte e stërmbushur me mysafirë, ndërsa atmosfera festive dhe emocionet shoqëruan gjithë mbrëmjen.
Një dimension të veçantë këtij koncerti i dhanë edhe rreth 20 instrumentistë të korit nga Bursa, të cilët kontribuuan në realizimin muzikor të kësaj mbrëmjeje, duke i dhënë koncertit një shoqërim të pasur instrumental.
Natyrisht, meritë të veçantë për realizimin dhe nivelin artistik të këtij organizimi kishte edhe producenti i njohur Bunjamin Kurtishi, i cili ishte pjesë e rëndësishme e këtij projekti muzikor.
Momente të veçanta u shënuan gjatë interpretimit të këngës “Mora fjalë”, të njohur nga repertori i këngëtares së madhe Shkurte Fejza. Interpretimi i kësaj kënge ngjalli emocione të fuqishme te publiku, duke u shoqëruar me entuziazëm dhe reagime të shumta nga të pranishmit.
Vëllezërit Mevlan dhe Nusret Kurtishi sollën atmosferën e festës kuqezi në mesin e shqiptarëve në Turqi, duke dëshmuar edhe një herë se muzika shqiptare mbetet një nga lidhjet më të forta mes diasporës dhe atdheut.
Koncerti në Bursa u shndërrua në një mbrëmje të veçantë festive, ku kënga shqipe, flamuri kuqezi dhe emocionet kombëtare bashkuan shqiptarët në prag të festës së 28 Nëntorit.


