Daut Haradinaj ne Oxigen: Dëshmitarja foli tri ditë, por tha se nuk më kishte takuar kurrë!

Daut Haradinaj ka rrëfyer një episod nga procesi gjyqësor ndaj tij, duke ngritur pikëpyetje mbi besueshmërinë e dëshmisë së një gruaje, e cila ishte paraqitur si dëshmitare e mbrojtur në gjykim.

Sipas rrëfimit të Haradinajt, bëhej fjalë për një grua që gjatë kohës së luftës kishte jetuar në zonën e Podgoricës dhe që kishte dëshmuar për tri ditë në procesin gjyqësor ndaj tij.

Haradinaj tregon se në përfundim të dëshmisë e kishte pyetur gruan nëse njiheshin apo nëse ishin takuar ndonjëherë, pasi, siç shprehet ai, nuk i kujtohej të kishte pasur ndonjë kontakt me të.

“ A jemi parë unë dhe ti ndonjëherë, sepse nuk po më kujtohesh?”, citohet të ketë qenë pyetja e Haradinajt.

Sipas tij, përgjigjja e gruas ishte se nuk ishin takuar asnjëherë.

Ky moment, sipas rrëfimit të tij, kishte nxitur reagimin e prokurorit, i cili kishte hequr kufjet dhe e kishte pyetur dëshmitaren se përse kishte folur për tri ditë në gjykatë sikur të kishte qenë e pranishme në ngjarjet për të cilat dëshmonte, nëse nuk ishte takuar asnjëherë me Haradinajn.

Haradinaj pretendon se përplasja me dëshmitaren kishte qenë aq e fortë, saqë prokurori kishte kërkuar të ndërmerreshin masa ndaj saj për shkak të kundërthënieve në dëshmi dhe dyshimeve për deklarim të rremë.

Rrëfimi i Haradinajt rikthen në vëmendje rëndësinë e besueshmërisë së dëshmitarëve dhe verifikimit të deklaratave në proceset gjyqësore, veçanërisht në rastet që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë.

FAKTI DITOR – faktiditor.info