Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar informacione të detajuara për kushtet në objektin e paraburgimit në Hagë, pas pyetjeve të shumta të pranuara nga publiku ditëve të fundit.
Përmes një njoftimi, Dhomat e Specializuara kanë theksuar se kushtet në objektin e paraburgimit janë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për trajtimin e të burgosurve, duke garantuar respektimin e dinjitetit njerëzor dhe ndalimin e çdo forme diskriminimi, transmeton IndeksOnline.
Sipas Speciales, të paraburgosurit kanë mundësi të dalin çdo ditë në ajër të pastër, të ushtrojnë aktivitete fizike dhe të marrin pjesë në sporte të ndryshme, përfshirë tenisin dhe futbollin.
Përveç aktiviteteve sportive, atyre u mundësohet edhe kopshtaria, piktura, gatimi dhe kalimi i kohës së përbashkët me të paraburgosurit e tjerë. Spias njoftimit, gjithashtu, kanë qasje në shërbesa fetare, materiale shkrimi, mësime të gjuhëve, libra, revista, gazeta dhe programe televizive e radiofonike në gjuhën shqipe.
Sa i përket ushqimit, Specialja bën të ditur se të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë, të cilat përshkruhen si të shumëllojshme dhe në përputhje me standardet ushqyese. Ata që dëshirojnë mund ta përgatisin vetë ushqimin, duke shfrytëzuar pajisjet e hapësirat e gatimit, si dhe mund të blejnë produkte ushqimore nga furnizues të jashtëm.
Në njoftim sqarohet se të paraburgosurit nuk mund të mbajnë para të gatshme, por secili ka një llogari personale kredie, në të cilën mund të shtohen mjete financiare për blerjen e produkteve.
Një pjesë e veçantë e njoftimit i kushtohet kontakteve me familjarët. Sipas Speciales, çdo i paraburgosur ka në dispozicion dhjetë ditë në muaj për vizita nga familja dhe miqtë. Kontaktet mund të realizohen edhe përmes telefonatave, letërkëmbimit dhe videolidhjeve.
Po ashtu, të paraburgosurit kanë mundësi për vizita private me bashkëshortet dhe fëmijët, jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të zyrtarëve të paraburgimit.
Sa i përket kujdesit shëndetësor, Dhomat e Specializuara pretendojnë se standardet mjekësore në objektin e paraburgimit përmbushin ose tejkalojnë ato që janë përgjithësisht të disponueshme për qytetarët në Holandë.
Specialja ka folur edhe për mekanizmat e mbikëqyrjes së kushteve të paraburgimit. Sipas njoftimit, Rregullorja e Paraburgimit është hartuar në konsultim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), i cili ka të drejtë të kryejë inspektime të rregullta, të pavarura dhe të paparalajmëruara.
Përveç KNKK-së, kushtet mbikëqyren edhe nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, i cili, sipas institucionit, ka realizuar gjithsej 12 vizita mbikëqyrëse. Vizita e fundit është zhvilluar në tetor të vitit 2026.
Specialja thekson se të paraburgosurit kanë të drejtë të paraqesin ankesa te shefi i paraburgimit, Avokati i Popullit ose KNKK-ja. Nëse konsiderojnë se ankesa e tyre nuk është trajtuar siç duhet, mund t’i drejtohen edhe Administratores dhe, në rast pakënaqësie me përgjigjen e saj, një paneli gjykatësish.


