Ish-polici serb “Petar Gjorgjeviç” zbardh “Ditarin e krimeve” në Kosovë

214

Ish-Polici i MUP-it të Serbisë, Petar Gjorgjeviç, i cili ka qenë i angazhuar në Kosovë në kohën e luftës, ka shpalosur një pjesë të ditarit të tij për krimet që ata kanë bërë në Kosovë. Ai flet me detaje në lidhje me krimet në Rahovec, Prizren dhe në disa vendbanime tjera të Kosovës gjatë periudhës 1998-1999. Urdhrat ishin “shkrepsë”, “gomë” dhe “në rrezitje”. “Gomë” do të thoshte që fshati të shtypet dhe të mos mbetet asgjë nga ai, sikur të ishte fshirë me gomë nga toka. “Në rrezitje” donte të thoshte të vritet. Ekzistonin vetëm këta tre urdhra. Shisharka dhe të tjerët mblodhën automjetet e disa shqiptarëve dhe shkuan për në Serbi, në prag të kërshëndellave 1999…

Bekim Salihu

Beograd, Prishtinë 30 nëntor 2013 – Redaksisë së botimit elektronik “e-novina” iu paraqit polici Petar Gjorgjeviç, i cili ka akuzuar pjesëtarët e MUP-it serb për krime monstruoze në Kosovë dhe pas kësaj, siç pohon, ai ka qenë viktimë e Njësisë për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe të Prokurorisë për krime lufte të Serbisë.

Bashkëbiseduesi i “e-novine” tashti jeton në Lihtenshtajn me gruan dhe dy fëmijët e tij.

Ai thotë të jetë motivuar me dëshminë e Slobodan Stojanoviçit, me vëmendjen e sërishme të opinionit që ka treguar interesim për rastin e tyre dhe me gënjeshtrat që me këtë rast i kanë thënë prokurori Vladimir Vukçeviç dhe zëvendësprokurori për krime të luftës Bruno Vekariç.

“Në njësinë 37 të PJP jam nga viti 1998, nga vera kur ndodhin krimet e para të luftës. Kam qenë në të gjitha aksionet në Kosovë. Më kujtohen përleshjet në Rahovec e rrethinë, aty pati shumë vrasje, plaçkitje dhe djegie të shtëpive. Dejan Mihajloviç-Çebe dhe Sërgjan Nikoliç-Luçica ishin bashkëpunëtorët më të afërt të komandimit Nenad Stojkoviç për të gjitha punët e fëlliqura. Vrisnin pleq, fëmijë, me urdhër të Stojkoviçit, disa edhe pa urdhër të tij.

Kur u takova një herë me prokurorin Vukçeviç, në prani të Dragoljub Stankoviçit dhe disa të tjerëve, i tregoja për vrasjet e dhjetëra civilëve për të cilat kishte dhënë urdhër, ose kishte ditur komandanti i njësisë, Radosllav Mitroviç, si dhe për disa varreza masive.

Ai e lëmonte mjekrën e tij dhe më tha: “Nuk kemi mjaft mish për Mitroviçin për ta gjykuar”. Isha i shokuar me mënyrën se si ai i trajtonte civilët e vrarë shqiptarë, për të e tëra kjo ishte vetëm “mish”, thotë bashkëbiseduesi i “e-novina”. Miroslav Vidoslavljeviç-Mikica ishte një kohë komandant në stacionin policor në Leskovc.

Me të isha i afërt një kohë, derisa nuk u deklarova si “tradhtar”, pastaj i ndërpremë kontaktet. Por derisa ishim të afërt, ai më tregonte se si ka transportuar kamionë me kufoma. U pamë gjatë vitit 1999 në rrethinë të Prizrenit, psikiqisht e kishte lëshuar, me gjasë shkaku i asaj që kishte bërë e përjetuar. Ishte i ri, sapo kishte përfunduar Akademinë policore dhe kishte filluar të punonte. Më tregonte se urdhrat i merrte nga eprori me nofkën “Gjeneral”.

Edhe në stacion flitej për këtë, ai mburrej me këtë, por si duket në vete vështirë e përjetonte këtë. Ai në shkurt të vitit 2009, kur u arrestuan katër veta kundër të cilëve dëshmuam ne, iku në Beograd, në Xhandarmëri, ku e pranoi komandanti Bozidar Dikiç.

Nga mesi i korrikut 1998, kur policia mori qytetin e Rahovecit, nëpër rrugë kam parë me qindra kufoma, që rrinin asisoj në diell disa ditë. Atëherë, një ditë punëtorët komunalë me traktorë morën kufomat dhe i larguan jashtë qytetit, në një breg të afërm, mbi lokalitetin ku jetonte shumica serbe.

Aty me ditë të tëra digjej zjarri dhe shumë policë në atë zjarr ngrohnin ushqimin e konservuar, duke mos ditur që në atë zjarr janë djegur rahovecianët e vrarë që i sillnin punëtorët komunalë. Në këtë përfundim vinim në bazë të erës së rëndë e të padurueshëm që vinte nga pjesët e padjegura të trupave.

Te fshati Obri e Epërme, në afërsi të Prizrenit, ishte një numër i madh i civilëve, disa mijë sish. Ishim në largim e sipër kur u paraqitën dy civilë, të rinj të moshës rreth të 20-tave, dikush i kishte zënë rob, nuk ishin të armatosur. Nenad Stojkoviç i dorëzoi te Çebe, i cili i zhveshi lakuriq.

Mori një thupër të hollë dhe me të sillte sa mundte. Ishin krejtësisht të përgjakur, më kujtohet që ulërinin: “Kuku, nona, kuku, nona!” dhe këtë sikur e dëgjoj ende.

U përpoqa t’i them Stojkoviçit që t’i lirojë, kurse ai i aplaudoi Çebes dhe tha: “Kjo është mirë, bravo!” dhe ai i nxitur nga lavdërimi i komandantit i rrihte edhe më me zell. Në fund të dy i vrau me pushkë.

Në fshatin Korishë, Çebe sillte njerëz nga Prizreni. Ata i zinin Zoran Markoviç-Çeçko dhe Dragan Milenkovic-Sisarka. Drejtori i ndërmarrjes komunale quhej Jovan, ai i caktonte njerëzit, shqiptarët e arsimuar, të cilët ende fshiheshin nëpër shtëpia, nuk donin të largoheshin. Shkonin atje i arrestonin dhe i sillnin në Korishë dhe në Korishë, para të gjithëve vriteshin me plumba të pistoletës së kalibrit të vogël në lule të ballit. Këtë e bënte më së shpeshti Çebe, atë e kam parë ta ketë bërë disa herë. Vriste njerëz edhe nëpër stalla. Mburrej se disa nga ta kishin urinuar në automobil, sepse e dinin se ku po i çonte.

Atë pistoletë të kalibrit të vogël ia kishte dhënë komandanti Radoslav Mitroviç, pasi që me urdhra të tij vriste njerëz që quheshin “kapital”. Kurdo që vriste dikë, Nenad Stojkoviç e lajmëronte Mitroviçin: “Kapitali shkoi në rrezitje…”, që do të thoshte se ishte vrarë.

Kemi pasur vetëm dy robër nga përleshja me UÇK-në, foto i keni publikuar, ata ishin të plagosur. Ata i ka vrarë pastaj Zoran Nikoliç-Honda, unë e kam paraqitur në Prokurori, por asgjë nga kjo.

Çebe është i njohur edhe për atë se për çdo shqiptar të vrarë ka bërë një gravurë në kondakun e drurit të pushkës. Ai lavdërohej se ka 80 gravura të tilla, që do të thotë se aq njerëz ka vrarë. Unë kam parë shumë likuidime të kryera nga ai, nuk e di saktësisht sa.

Njëjtë ka vepruar edhe Luçica, ata bënin gara se kush do të vrasë më shumë civilë. Por, Luçica ishte edhe më brutal, pasi Dejan Çebe vriste me armë zjarri, kurse Luçica, ta zëmë, e ka prerë një plak me motosharrë. Në Korishë, në hyrje të fshatit, në shtëpinë buzë rrugës. Për çfarë arsyeje?! Për para, për çka tjetër do të vriste, transmeton “Koha” në Prishtinë.

Luçica ka vrarë edhe dy djelmosha, rrugës për në Bajgorë, kishte edhe policë të tjerë në afërsi që e kanë parë këtë, të gjitha këto ia kam përshkruar Prokurorisë, por asgjë. Ata djelmosha kishin humbur, dikush i kishte zënë rob, kurse Luçica i detyroi të ulen në gjunjë dhe së pari njërin e pastaj edhe tjetrin i vrau me plumb në ballë.

Më kujtohet edhe një vrasje që Luçica e ka kryer në fshatin Pagarushë, jo larg Rahovecit. Pas marrjes së fshatit, një grup i policëve, në mesin e të cilëve isha edhe unë, shkaku i shiut u strehua në një shitore buzë rrugës në qendër të fshatit. Papritur u paraqit një njeri me shkop në dorë dhe me plis në kokë.

Ishte shqiptar në moshë mbi 80 vjeçare, shkonte qetë, me kokë të ulur. Kur kaloi afër shitores, Luçica e ngriti pushkën dhe e mori në shenjë, ne të gjithë e shikonim me habi, duke mos besuar që ai do të shtijë në plakun e paarmatosur. Por, ai e vrau me gjakftohtësi, duke shtirë në të nga një afërsi e vogël. Tërë këtë e shikonte krejtësisht i painteresuar komandanti Stojkoviç.

Për nga brutaliteti ishte i njohur edhe Kalajxhiç, emrin ia kam harruar, e quanin Kalajxhija, shofer i kamionit T110. Në fshatin e minierës Stantërg, e lidhi plakun mbi 70-vjeçar për një dru. Njërën dorë ia lidhi për kamion, tjetrën për drurin. Dhe pastaj e shqeu me kamion, njeriu vdiq në vuajtje të mëdha. Kufoma mbeti aty kurse më pas kamionët (policorë e ushtarakë) kalonin mbi atë kufomë. Plaçkitjet në Kosovë ishin të rregullta dhe sistematike.

Me dhjetëra vetura ndër më modernet të vjedhura silleshin, dhe në këtë drejtim printe Vidosavljeviç. I sillte automjetet në Leskovc, një prej tyre e bleu edhe polici kolegë Zevko. Atij automjetin ia shiti Vidosavljeviçi, kurse më vonë ia kurdiste se e ka blerë dhe e ka vozitur automjetin e vjedhur, kështu që Zevko mbeti pa punë. Iu ka shitur edhe të tjerëve, automjete të sjella nga Prizreni.

Plaçkitej ari, paratë, dhe pastaj lavdëroheshin me thasët me para, sidomos Çebe. Pastaj shkonte dora tjetër, teknike, televizorët, video rekorderët, antenat satelitore, mobiliet. Prapa nesh shkonte pjesa e prapme e çetës, të gjitha i ngarkonin nëpër kamionë dhe i transportonin për në Serbi.

Edhe djegiet ishin gjë e zakonshme, vetëm arrinte urdhri “Shkrepsa” dhe kallje i tërë fshati.

Ndodhte pastaj që të nisemi dhe deri në cakun tjetër të na kapte terri, ktheheshim në atë fshatin e djegur dhe nuk kishim ku të flinim, nuk kishte mbetur asnjë shtëpi e tërë.

Isha i pranishëm në një fshat disa kilometra larg Prizrenit, afër Korishës, kur Mitroviçi i dha urdhër Nenad Stojkoviçit që të zbraznim atë fshat. Stojkoviçi urdhëroi që të gjithë të dëbohen nga shtëpitë e tyre dhe të dërgohen për në Shqipëri. Këto ishin skena rrëqethëse, kur njerëzit dilnin nga shtëpitë, bartnin fëmijët në gjoks, tërheqin prapa gjërat personale.

Tmerr! Ata nuk ishin shqiptarë, mendoj se kanë qenë turq apo boshnjakë dhe pyesnin “përse na dërgoni për në Shqipëri, po ne nuk e dimë gjuhën shqipe”!

Urdhrat ishin “shkrepsë”, “gomë” dhe “në rrezitje”. “Gomë” do të thoshte që fshati të shtypet dhe të mos mbetet asgjë nga ai, sikur të ishte fshirë me gomë nga toka. “Në rrezitje” donte të thoshte të vritet. Ekzistonin vetëm këta tre urdhra. Shisharka dhe të tjerët mblodhën automjetet e disa shqiptarëve dhe shkuan për në Serbi, në prag të kërshëndellave 1999.

Derisa po e tregoj këtë, sikur më gërryen diçka në bark, kur njeriu është në luftë, në terren, ngjarjet kalojnë si nëpër shirit filmik. Mendoni vetëm për vete, si të ruani kokën, por jo edhe për atë se çka iu ngjan të tjerëve, nuk mendon që edhe tjetri është njeri. Bën llogari vetëm si të mbijetosh, të mos vdesësh. Por, pasi shpëton, fillojnë të renditen imazhet.

Pas luftës asgjë nuk më ka interesuar një vit të plotë. Ata që kanë bërë ato krime u bënë kryesorët në stacion policor dhe filluan të sillen në mënyrë arrogante. Vidosavljeviçi, Stojkoviçi, Çebe dhe të “heronjtë e tjerë të atdheut” pas luftës u morën edhe me reketim (zhvatje) të hotelierëve dhe prodhuesve privatë të mobilieve, si dhe me biznesmenë të tjerë nëpër qytet, si dhe me vepra të tjera penale… iu shkruheshin edhe fletëparaqitje penale, qëndronin edhe në paraburgim, por në fund e tëra përfundonte me aktgjykime për lirim.

Çebe u caktua për komandim të një stacioni policor në rrethinë, edhe pse kishte vetëm shkollën e mesme, Nenad Stojkoviç, ndërkaq, nga komandanti i çetës u bë kryeshef i Drejtorisë së policisë, përkatësisht i 12 apo 13-ti njeri në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Një njeri gjysmëanalfabet. Vidosavljeviçi i ndërronte automobila, xhipat për çdo ditë. Dhe ata janë kryesorët, askush asgjë nuk guxon t’iu thotë. Flisja atëbotë: “Deri kur, o njerëz, deri kur!”, shumë njerëz nuk pajtoheshin, por heshtnin, sepse lehtë humbet puna në polici, shumë shpejt mund të të kurdisin çka të duan. Me kalimin e kohës fillova të mendoj për atë se sa vite do të kishte një djalosh i ri i vrarë, a do të kishte edhe ai tash familjen e tij, fëmijët. Edhe ai është qenie e gjallë.

Kësisoj. Më duket se ky është motivi. Jam i sigurt që Serbia nuk do të lëvizë vendit deri sa në polici dhe ushtri e ku ta di unë tjetër të jenë kriminelët e tillë. Kam dashur edhe unë të jetoj më mirë, që fëmijët e mi të jetojnë normalisht, që Ratko Mladiq të mos jetë hero popullor, ta dinë se ai nuk është patriot dhe se këta vrasës, që paraqiten si “heronj të atdheut” në fakt nuk janë patriotë.

Kam menduar që sistemi mund të zgjidhë këto gjëra, që ka filluar të funksionojë, që Prokuroria për krime lufte është vërtetë prokurori, që nuk janë mbrojtës, avokatë dhe strehues të kriminelëve. Mendoja që ata i ndjekin dhe arrestojnë vrasësit për t’i sjellë para drejtësisë. Ka menduar që Njësia për mbrojtjen e dëshmitarëve është ajo që duhet të jetë, siç e thotë edhe emërtimi i saj, e jo të jetë njësi për mbrojtjen e kriminelëve.

“Petar Gjorgjeviç” është pseudonimi i bashkëfolësit tonë.

Identiteti i tij është i njohur për redaksinë “e-novine” si dhe për dëshmitarin e kaluar të mbrojtur Slobodan Stojanoviç, që gjithashtu ka folur për “e-novine”.

Identitetin e këtij dëshmitari të njohur e di edhe një pjesëtar i Njësisë 37 të Aradhës së Njësive Speciale të policisë serbe, i cili së shpejti do të japë intervistën e tij për “e-novine”. /illyriapress.com/

Comments