Koalicioni i opozitës për rrethin e dytë në zgjedhjet lokale nuk është koalicion por vetëm bashkëpunim në balotazh…
Koalicioni i opozitës për rrethin e dytë në zgjedhjet lokale nuk është koalicion por vetëm bashkëpunim në balotazh dhe llogaritje e partive opozitare për sukses më të mirë në rrethin zgjedhor.
Kështu vlerëson analisti politik, Naser Zyberi. Sipas tij, këtu nuk bëhet fjalë për një koalicion programor, parimor, apo për një vizion se çfarë i duhet pushtetit lokal në të ardhmen, por konkret për interesa të caktuara që një kandidat të mund të fitojë garën në rrethin e dytë zgjedhor.
“Kjo në fakt nuk është koalicion, por bashkëpunim në balotazh i cili bashkëpunim bëhet për interesa konjukturale, konkrete, të momentit, për të maksimalizuar numrin e votave të kandidatëve që vazhdojnë garën në rrethin e dytë. Bashkëpunimet e këtilla zakonisht nuk e japin efektin e duhur për arsye se në rrethin e parë subjektet, çdonjëra, ka bërë kampanjë për kandidatët e vet shpeshherë, madje edhe janë konfrontuar në pikëpamjet që kanë shprehur dhe ai konfrontim mes subjekteve politike është bart edhe te votuesit dhe në këtë mënyrë, në mënyrë mekanike, nuk mund të kthehen dhe të bashkohen votat e dy e më shumë subjekteve të cilat në balotazh duan ta ndihmojnë njëra-tjetrën”,- deklaroi analisti politik, Naser Zyberi.
Bashkëpunimi i tyre i mëtejshëm është diskutabil, sepse në çështje shumë të rëndësishme ka një histori të hidhur nga e kaluara kur nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për interes kombëtar, thotë Zyberi, i cili megjithatë nuk e përjashton mundësinë që këto parti të kenë nxjerrë mësim nga e kaluara dhe të thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen.