Arifi: Porositë që po jep koalicioni ASH-BESA janë antikombëtare
Shkup, 27 tetor – Rezultatet zgjedhjeve lokale në rrethin e parë në Maqedoni, të mbajtura më, 15 tetor, që çuan në balotazh numrin më të madh të komunave me shumicë shqiptare, kanë imponuar formimin e koalicioneve para mbajtjes së rrethit të dytë të votimeve, më 29 tetor.
Një koalicion i tillë është edhe ai mes Lëvizjes BESA të Bilall Kasamit dhe Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës, të cilët pas rezultateve të dobta në raundin e parë, ata i bashkuan forcat për raundin e dytë.
Bashkimi Demokratik për Integrim në koalicion me Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë prin në shumicën e komunave shqiptare, megjithëse nëse mblidhen votat që ka fituar Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa, bashkërisht këto dy parti dalin para kandidatëve të BDI-së për kryetarë komune.
Koalicionin mes ASH-së dhe Lëvizjes BESA për Zhurnal e ka komentuar edhe profesori kosovar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Fatmir Arifi.
Ai shprehet se porosia politike që po jep koalicioni është shumë antikombëtare kundrejt retorikës së shfaqur në fushatën parazgjedhore, sepse bie ndesh me parimet e unitetit të kombit dhe me atë që deklarativisht e promovon ky koalicion.
“Bashkimi i dy partive me ideologji të ndryshme jo vetëm politike por edhe kombëtare dhe anashkalimi i pjesës tjetër të shqiptarëve është kundër çdo parimi mbi të cilin kanë funksionuar partitë shqiptare në Maqedoni në të kaluarën. Ideja se takimet me përfaqësuesit shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë janë të dëmshme për shqiptarët në Maqedoni është ideja më antikombëtare që po mbizotëron aktualisht në veprimtarinë politike shqiptare. Koalicioni është në fakt një bashkim i opozitës në nivel vendor dhe opozitës dhe pozitës në nivel qendror. Mospërmendja e bashkëpunimit vendor me Shqipërinë dhe Kosovën, në kushte kur këto të fundit janë shtete që kanë raporte me Maqedoninë, në sytë e votuesve shqiptarë koalicionin e shndërron në një xhuxh të vogël, i cili ka vetëm interesa personale të pozicionimit në karrierë e aspak si një forcë politike shqiptare që dëshiron gjërat t’i vejë në binarë dhe trenin e çështjes kombëtare ta çojë drejt integrimit brenda vetes dhe së bashku drejt integrimit në BE”, ka deklaruar profesori Arifi.
Sipas profesorit Arifi, lajkat që po bëhen kundrejt partive politike maqedonase vetëm se e përforcojnë bindjen se këto koalicione janë krijuar dhe do të krijohen për interesa afatshkurtra dhe aspak me synim të ndryshojnë gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Maqedoni dhe se, asnjëra palë nuk e ka interes kryesor mbarëvajtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi.
“Koalicioni i partive opozitare është i panatyrshëm për nga mënyra e krijimit, sepse të dy partitë kanë pozicionim dhe ideologji të kundërt, të paktën deklarativisht. Aleanca për Shqiptarët në nivel qendror vazhdon të përkrahë qeverinë e a.q. reformatore dhe indirekt edhe politikat e partive tjera të koalicionit qeveritar, kurse në nivel lokal për interesa personale dhe klanore dhe lidershipit t’i përkrahë politikat opozitare. Koalicion shqiptar në Maqedoni, do të ishte koalicionimi i të gjitha partive shqiptare në rrethin e parë zgjedhor për këshillat komunalë dhe në rrethin e dytë matja e forcave veçmas për të parë rejtingun dhe për të testuar politikën e tyre te zgjedhësit shqiptarë. Këto koalicione vetëm se e hutojnë votuesin dhe e dëmtojnë çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi dhe shumë më shumë çështjen e pazgjidhur shqiptare në Maqedoni”, ka përfunduar për Zhurnal profesori universitar i marrëdhineve ndërkombëtare, Fatmir Arifi.