
Në të njëjtën linjë me Donald Lu-në, ka qëndruar edhe ambasadorja e BE në vendin tonë Romana Vlahutin, e cila tha se në Shqipëri nuk mund të ketë njerëz të paprekshëm dhe njerëz që blejnë drejtësinë.
Ajo e vuri theksin tek rëndësia që autoritetet shqiptare duhet t’i bëjnë luftës ndaj krimit të organizuar, duke thënë se partnerët ndërkombëtarë nuk mund të bëjnë punën e autoriteteve shqiptarë, por thjesht do ndihmojnë.
“Qytetarëve të Shqipërisë u ka ardhur në majë të hundës nga këto dekada arrogance të të korruptuarve dhe grupeve të kriminalizuara të cilët besojnë se Shqipëria ekziston për të pasuruar ata dhe se ata nuk i detyrohen shtetit apo ndokujt tjetër.

Këta njerëz që shesin Atdheun për shtëpinë janë pak, ata nuk kanë pikë turpi, nuk kanë pikë morali dhe nuk kanë respekt për këtë vend që i dha jetën. Shumica e madhe e shqiptarëve sot me të njëjtën qartësi si para tre dekadash ka të njëjtin objektiv: Ta jetojnë jetën e tyre me dinjitet ashtu siç bëjnë të gjithë në Europë.
Ne së bashku kemi kaluar tre vite impenjative për ta bërë të mundur që reforma në drejtësi ti hapë rrugë institucioneve të reja që do të njohin vetëm ligjin. Ligji që është i barabartë për të gjithë. Të mos ketë të paprekshëm, të mos ketë njerëz që blejnë drejtësinë apo që e shfrytëzojnë atë me anë të një telefonate.
Shqipëtarët janë njerëz që punojnë dhe e dinë çfarë është sakrifica. Shqiptarët janë të talentuar, të zgjuar. Shqipëria ka shumë burime dhe mund të zhvillohet shumë shpejt, por përkundrazi krimi sjell një kosto të madhe në shoqëri dhe ekonomi.
Unë dua të besoj që ky operacion “Forca e Ligjit” do të jetë një hap vendimtar drejt një shteti që do të jetë më i fortë se çfarëdolloj krimi.
Ne nga komuniteti ndërkombëtar, nuk jemi policia, nuk jemi prokurorë dhe gjyqtarë, ne nuk mund ta bëjmë punën për ju”, th ajo.