Ligji për punësimin e 100 studentëve, diskriminues

172

Propozim ligji i Qeverisë për punësimin e 100 studentëve më të mirë nga pesë universitetet publike në institucionet e sektorit publik është pritur me kundërshtime dhe vërejtjen nga partitë shqiptare, por edhe nga opozita dhe deputetët e pavarur transmeton TVM 2.

Dy partië shqiptare konsiderojnë se me këtë pr/ligj diskriminohen studentët shqiptarë për shkak se Universiteti i Tetovës rangohet i fundit në mesin e pesë universiteteve më të mira publike dhe konform këtij projekt ligji, nga ky universitet mund të punësohen më së shumti 10 studentë. Sipas BDI-së, me këtë qasje shkelet parimi për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, prandaj projektligji duhet të pësojë ndryshime.

“Ky ligj në këtë formë lë hapësirë që eventualisht të cenohet respektimi i përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha etnive në punësimin në sektorin publik”,- tha Shpresa Hadri nga BDI.

Mirëpo PDSh vlerëson se propozim/ligji nuk mund të përmirësohet me amendamente dhe si i tillë duhet të tërhiqet. Deputeti, Bekim Fazliu, tha se përveç diskriminimit që u bëhet studentëve shqiptarë, ligji nuk i obligon kandidatët që të njohin gjuhën shqipe, edhe pse ata si nëpunës në administratë do të duhet t’u shërbejnë edhe qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë të drejtën e komunikimit me institucionet në gjuhën amtare.

“Ky ligj kështu si është propozuar nuk ka shanse të përmirësohet. Ky ligj është si çdo ligj tjetër që qeveria VMRO–BDI sjell, e që nuk lë pa i diskriminuar shqiptarët ”,- tha Bekim Fazliu nga PDSh.

Për opozitën maqedonase është e habitshme pse qeveria propozon ligje për punësime në administratë kur ajo edhe ashtu është e stërngarkuar.

“Pse, kur kemi administratë të mbingarkuar, kur ajo administratë publike është joefikase, kur të rinjtë për fat të keq janë të orientuar të punësohen në sektorin publik, ju me këtë ligj i stimuloni edhe më shumë, madje studentët më të mirë”,- u shpreh Stefan Bogoev nga LSDM.

VMRO vlerëson se ligji është qëllimmirë, ndërsa pjesët që kundërshtohen mund të korrigjohen.

Konstatimi i të gjithëve është se bëhet fjalë për ligj pozitiv, i cili duhet të miratohet, por ligji është në procedurë parlamentare dhe ende ka mundësi që disa nga vërejtjet që kanë deputetët edhe të opozitës edhe të pushtetit të korrigjohen me amendamente”,- theksoi Andon Çibishev nga VMRO-DPMNE.

Konkursin për punësimin e 100 studentëve më të mirë parashihet ta hapë Ministria për administratë dhe shoqëri informatike, ndërsa në komision do të marrë pjesë MASh dhe anëtarë nga pesë universitet më të mira.

Me këtë projektligj eliminohen studentët më të mirë nga universitetet private. Zbatimi i këtij ligji pritet ta rëndojë buxhetin për 3.100.000 denarë në nivel vjetor.

Comments