Amnesty International: Refugjatët do të ikin nga Greqia për 18 vjet

239
Amnesty International: Refugjatët do të ikin nga Greqia për 18 vjet

Në një raport të orëve të fundit, Amnesty International thekson se politika e liderëve europianë për emigracionin ka dështuar, pasi ka ende shtete anëtare të BE-së që nuk kanë marrë asnjë refugjat sipas marrëveshjeve të nënshkruara.

Organizata, që e cilëson Greqinë si “depo të shpirtrave njerëzorë”, ka paralajmëruar se me këto ritme në procedurën e dhënies së azilit dhe të ndarjes proporcionale të azilkërkueseve, mbi 60.000 refugjatët që ndodhen në këtë vend do të largohen vetëm pas 18 vitesh.

Në këtë kuadër edhe kryeministri grek Tsipras ka kritikuar nga selia e OKB-së mbylljen e kufijve nga disa vende europiane, mosrespektimin prej tyre të të drejtave ndërkombëtare dhe pretendimet që ato kanë, se përgjegjësia për ndarjen e refugjatëve është një imponim që duhet të marrin vetëm shtetet e vijës së parë.

“Këto forca ksenofobike kanë marrë përgjigjen e merituar dhe ajo erdhi nga populli grek, populli më i goditur nga kriza ekonomike, i cili i ka provuar botës se as vlerat tona dhe as humanizmi ynë nuk duhet të jenë të kushtëzuara”, ka deklaruar Tsipras.

Ndërkohë që kërkesat për azil në Greqi janë rritur në masën prej 132%, në vend numërohen mbi 1.450 fëmijë nga zonat e luftës të pashoqëruar dhe shumë prej refugjatëve për arsye të kushteve që cilësohen çnjerëzore në kampet e pritjes, bien lehtë viktima të trafikantëve që përpiqen t’i kalojnë ata nëpërmjet Shqipërisë drejt Europës qendrore, siç është vërejtur në shumë raste muajt e fundit.

Me interes pritet të shtunën zhvillimi i minisamitit të Vienës për krizën e refugjatëve, ku mes kryeministrave të vendeve ballkanike do marrë pjesë edhe kreu i qeverisë shqiptare, ndërsa nuk do të mungojnë kancelarja gjermane Merkel, liderët e Hungarisë dhe Sllovenisë, presdienti i KiE-së, Donald Tusk dhe komisioneri për emigracionin Dhimitrios Avramopoulos.

/ Top Channel

Comments