Abdixhiku prezanton 5 stadiumet rajonale: Kosova duhet të ketë ambicie të madhe
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherit kandidat për Kryeministër të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar pesë projektet e stadiumeve rajonale.
Ai ka njoftuar se në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren e Ferizaj, do të ndërtohen stadiumet e reja rajonale, të kategorisë së UEFA-s 3 dhe 4, me kapacitet 6000 deri në 7000 ulëse, shkruan IndeksOnline.
Sipas Abdixhikut, kosto e një stadiumi të tillë është rreth 12 milionë euro.
Postimi i plotë:
Në këtë të diel të sportit, të futbollit, më lejoni të ju flas për 5 stadiumet rajonale, që i kemi prezantuar si koncept ide tashmë para investitorëve potencial, pjesë e programit tonë politik tashmë të zotuar publikisht.
Në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren e Ferizaj, do të ndërtohen stadiumet e reja rajonale, të kategorisë së UEFA-s 3 dhe 4, me kapacitet 6000 deri në 7000 ulëse. Kosto e një stadiumi të tillë është rreth 12 milionë euro; financim i Qeverisë Qendrore. Këto pesë stadiume rajonale, së bashku me Stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë e ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, e Stadiumin e Ri Kombëtar me 30 mijë ulëse, do të kompletojnë mozaikun e peisazhit modern futbollistik në Republikën tonë – në të 7 regjionet tona.
Kosova duhet të ketë ambicie të mëdha. Aso që e ngritë vendin tonë përtej cinizmit, fjalëve të thata, e pështymave urrejtëse politike ku jemi sot. Kosova ka nevojë për transformim rrënjësor që na nxjerrë nga epiteti i ‘të fundit në Evropë’! Kosova ka nevojë për ndryshim dhe atë rrënjësor!
Këto janë zotimet tona!
Këto ne do t’i bëjmë!