Abdixhiku: Sa më të mëdha tubimet tona, aq më të larta bëhen britmat e piskamat
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdxhiku ka thënë se sa më të mëdha që janë tubimet e partisë së tij aq më të larta bëhen piskamat, duke aluduar në kryeministrin, Albin Kurti.
“Kosova, megjithatë, kohë për të humbur në ndarje e përçarje nuk ka. Kësaj marrëzie duhet t’i dalim në ballë të gjithë! Kjo nuk është Kosova jonë. Kjo nuk është sjellja jonë. Kjo nuk është ëndrra jonë.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Shkrimi i plotë:
Sa më të mëdha tubimet tona;
Sa më e madhe mbështetja popullore;
Aq më të larta bëhen britmat e piskamat!
Por, për një moment, mendoni në duar të kujt e keni fatin tuaj, fëmijëve tuaj e të familjeve tuaja!
Kosova, megjithatë, kohë për të humbur në ndarje e përçarje nuk ka. Kësaj marrëzie duhet t’i dalim në ballë të gjithë! Kjo nuk është Kosova jonë. Kjo nuk është sjellja jonë. Kjo nuk është ëndrra jonë.
Prandaj sot unë nuk jam para qytetarëve as për të nxitur urrejtje për tjetrin e as për t’ju mbushur plot helm e vrer për tjetrin. Unë nuk ju ndaj në tradhtarë e patriotë, me mua apo me Serbinë.
Sot qëndroj para jush t’ju them se nuk ka Kosovë të partive. Nuk ka Kosovë të individëve. Nuk ka Kosovë të epokave. Ka një Kosovë dhe një Kosovë të vetme, ka një ëndërr dhe një ëndërr të vetme, ka një adresë dhe një adresë të vetme, ka një atdhe dhe një atdhe të vetëm.
Republika jonë është vetë ëndrra jonë!
Ndryshimi sot, është misioni jonë!