Aeroplanë kinezë mbi qiellin e Tajvanit, rriten shqetësimet për sulm
Tajvani ka raportuar fluturime të aeroplanëve të forcave kineze mbi qiellin e tij, pak orë pasi Rusia sulmoi Ukrainën. Sulmet ruse në Ukrainë kanë rritur shqetësimin e perëndimit për një sulm të mundshëm të ngjashëm të Kinës ndaj Tajvanit, shkruan Alsat.
Shqetësimet u rritën pasi kryeministri britanik Boris Johnson theksoi rrezikun për Tajvanin dhe pasojat e dëmshme në mbarë botën nëse vendet perëndimore nuk përmbushin premtimet e tyre për të mbështetur sovranitetin e Ukrainës. Dyshimet janë se Kina mund të bëjë një lëvizje të guximshme për të marrë kontrollin e Tajvanit. Pekini ka të ngjarë të monitorojë me kujdes situatën në Ukrainë për të parë se si reagojnë fuqitë perëndimore dhe sa të ashpra ata përgjigje do të jenë.
Sidoqoftë, zyrtarisht Kina e ka bërë të qartë se e sheh Tajvanin si një rast thellësisht të ndryshëm nga Ukraina.
“Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez dhe çështjet e Tajvanit janë çështje të politikave të brendshme të Kinës”, tha Hua Chunying, Zyra e marrëdhënieve me Tajvanin në Kinë.
Deri tani, qëndrimi i Kinës ndaj konfliktit në Ukrainë ka qenë i balancuar. Pekini ka bërë thirrje për respektim të integritetit territorial dhe sovran të një shteti por në të njëjtën kohë qeveria kineze është simpatizuar me hatërmbetjet e presidentit Putin ndaj perëndimit.
Qeveria e mposhtur e Republikës së Kinës iku në Tajvan në vitin 1949 pasi humbi luftën civile ndaj komunistëve. Komunistët krijuan Republikën Popullore të Kinës. Kina ka refuzuar gjithnjë ta njohë Tajvanin si një shtet i pavarur. Ishulli është një partner tregtarë kyç i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe një pikë strategjike në zinxhirin e furnizimit global, dominon fuqishëm industrinë e makinerive elektrike në teknologjitë më të avancuara civile dhe ushtarake dhe është zonë e rëndësishme për bazat ushtarake amerikane në Oqeanin Paqësor./Alsat.mk