Afera “Pasuli”: FSK-ja ka bukë edhe për sot, gjithçka që duhet të dini deri më tani

106

Sot skadon kontrata e kompanisë përgjegjëse deri tani, për ushqimin e FSK-së. Gjithçka që duhet të dini rreth temës më të bujshme në dy javët e fundit.

Gazetari Berat Buzhala, para një jave ka dhënë detaje ekskluzive rreth një tenderi për ushqim të FSK-së, me vlerë prej mbi 10 milionë euro.

Buzhala përmes dy video-raportimeve, ka treguar se si burime të mirinformuara në Ministrinë e Mbrojtjes, i kanë treguar se ngjarja ishte kështu:

Ministrit Ejup Maqedonci, i ishte kërkuar që ta nënshkruante një vendim, që tenderin për ushqim të ushtrisë ta shpallnin si ‘sekret shtetëror’.

Sipas burimeve të afërta me këtë zhvillim në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Maqedonci nuk ka pranuar ta nënshkruajë atë vendim dhe në momentin kur ai nuk ishte në Kosovë, zëvendësministri Shemsi Syla e ka nënshkruar vetë vendimin.

Në raportimet e tij, Buzhala ka treguar se kur ministri Maqedoni është kthyer në punë, e kishte anuluar këtë vendim.

Ministri Maqedonci, pak ditë më vonë pas këtij raportimi të Nacionales, nuk i ka mohuar këto informaicone, megjithëse nuk dukej i gatshëm t’i referohej problemit me emra dhe mbiemra.

Ai foli kështu në tv Dukagjini, duke nënkuptuar se zëvendësi i tij, z.Shemsi Syla, e kishte shpallur këtë vendim si sekret shtetëror, ndërkaq – ashtu siç ka raportuar Nacionale – Maqedonci e kishte anuluar atë vendim.

Rrugëtimin e këtij procesi me ‘nënshkrime të vendimeve të ndryshme’ dhe ‘anulime të vendimeve të ndryshme’, Maqedonci e përshkruan si më poshtë:

“Ka qenë proces pak më i gjatë, ka pasur nënshkrime të vendimeve të ndryshme edhe anulim të vendimeve të ndryshme. Por, më saktësisht, kjo nuk është shumë në interes për t’u prezantuar, në interes është rregullësia e procesit te rezultati final”,do të deklaronte ministri i Mbrojtjes për tv Dukagjinin.

Sa për raportet me zëvendësin e tij Shemsi Syla, ministri deklaronte:

“Mund të mos kemi dakordim për ndonjë çështje të caktuar, mirëpo kjo nuk nënkupton problem”, thotë ai.

“Kjo që po ndodh tash me ushqim, është vec le të themi, ajo pika kulmore e çthurjes organizative në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, thotë Buzhala në video-raportimin e dytë lidhur me këtë temë.

Një burim brenda FSK-së, do t’i tregonte Buzhalës si më poshtë:

“Edhe për të hanën kena bukë, mas të hanës si Azem Bejta. Për besë janë tuj kërku modele si në mahala, gjema një sahan pasul, a din dikush me bo makarona, a ka najkush naj fertere, çka hajmë masnesër?

“Pra, për shkak të Dejona Mihalit, e cila është një koordinatore me një pushtet ‘divine’ hyjnor mbi institucione, e ka bë atë institucion çorap”, thotë Buzhala.

Tendenca për ta shpallur ushqimin e FSK-së si ‘sekret shtetëror’ në një ligë më dronët Bajraktar (siç thotë Buzhala në një video-raportim rreth temës), do të ishte tema e përplasjes së fundjavës që lam pas, në mes të partisë në pushtet, Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Derisa sot skadon afati i furnzimit të ushqimit për ushtarët e FSK-së, Maqedonci para pak ditësh, do të deklaronte:

“Procesi i tenderit për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës është një proces që nuk ka përfunduar, pra kontrata ende nuk është nënshkruar nga unë, është ende duke u zhvilluar vlerësim si në aspektin procedural dhe në apekte të tjera për këtë tender”.

Comments