Agim Gashi që vdiq mbrëmë në aksidentin në Skënderaj, ishte kuzhinier i njohur në Pejë

183

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel, ku si pasojë kanë humbur jetën tre persona. Ndërsa të lënduar kanë mbetur katër zyrtarë policorë, të cilët ishin të përfshirë në këtë aksident.

Viktimat të cilat kanë humbur jetën në këtë aksident janë të së njëjtës familje, Zarife Gashi, rreth 70-vjeçare, Agim Gashi, rreth 50-vjeçar dhe Gyltene Gashi, rreth 48-vjeçare.

E njëri nga viktimat e këtij aksidenti Agim Gashi, punonte si kuzhinier në hotelin “Dukagjini” në Pejë.

E menaxhmenti dhe stafi i hotelit “Dukagjinit”, e kanë kujtuar atë, duke thënë se largimi i papritur i tij, ka lënë boshllëk të madh në zemrat e tyre.

“Me hidhërim të thellë shprehim ngushëllimet tona për ndarjen tragjike nga jeta të kolegut tonë të dashur, Agim Gashi, i cili humbi jetën së bashku me gruan dhe nënën e tij në një aksident të rëndë. Agimi ishte një profesionist i shkëlqyer dhe një njeri me zemër të madhe, që la gjurmë të pashlyeshme në hoteleri dhe gastronomi. Largimi i tij i papritur ka lënë një boshllëk të madh në zemrat tona. Menaxhmenti dhe stafi i hotelit “Dukagjini” ndajnë dhimbjen me familjen dhe miqtë e tij. Kujtimi i tij dhe i të dashurve të tij do të mbetet i përjetshëm”, thuhet në kujtimin e menaxhmentit të hotelit “Dukagjini”.

Comments