Aksident mes tri veturave dhe një autobusi në Ferizaj, katër të lënduar

Një aksident ka ndodhur mbrëmë në magjistralen Ferizaj- Prishtinë, më saktësisht në fshatin Prelez të Muhaxherëve, ku janë përfshirë një autobus dhe tri vetura.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i tha Gazetës Express se katër persona kanë pësuar lëndime dhe të njëjtit kanë pranuar trajtim mjekësor në Emergjencën në Ferizaj.
“Me datën 26.01.2025, rreth orës 21:00, kemi pranuar një informatë për një aksident trafiku në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë nga Njësia e Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes. Përveç dëmeve materiale të shkaktuara në automjete, si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Ata janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga ekipet e autoambulancës. Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit”, tha Veseli për Express.