Aksidenti te Liqeni i Badovcit me tre viktima, çfarë dihet deri më tani

74

Aksident tragjik ku humbën jetën tre të rinjë, pasi një veturë ka rënë në liqenin e Badocit ka tronditur të gjithë sot.

IndeksOnline ka raportuar dy nga tre viktimat janë, Ardit Gashi nga Hajvalia dhe Rifat Pacolli nga fshati Marec i Prishtinës.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë Malë Gashi, ka treguar se dy nga trupat e viktimave janë gjetur në ujë, ndërsa njëri nga ta kishe mbetur brenda veturës.

“Menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kanë bërë përpjekje për ta nxjerrë veturën, por nuk kanë mundur sepse ishte e gjitha e zhytur në ujë”, tha ai.

“Ka ardhur ekipi i zhytjes së FSK-së, i kanë nxjerrë dy persona që kishin humbur jetën në ujë, njërin që ka mbetur në veturë e kemi tërhequr me litar, me kamion e kemi nxjerrë veturën me gjithë personin e vdekur. Pastaj sigurisht e kemi hequr edhe nga vetura bashkë me FSK-në, dhe e kemi dorëzuar te ekipet mjeko-ligjore”, tha Gashi për KlanKosova.

Po ashtu, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar lajmin nëmengjësin e sotem, ku tha se kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.

“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku”, tha Ahmeti për IndeksOnline.

Lidhur me rastin kanë reaguar kryetari i AAK’së Ramush Haradinaj dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Rama ka thënë se këto janë momente të rënda familjet dhe të afërmve të viktimave, të cilëve iu ka shprehur ngushëllime.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve në aksidentin në Liqenin e Badovcit. Këto janë momente të rënda për familjet dhe të afërmit e tyre, dhe në këto çaste dhimbjeje, dua t’u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Lutemi që të gjejnë forcën për të përballuar këtë humbje të madhe. Ne jemi me ju në këtë moment të vështirë.”

Ndërsa Haradinaj ka kërkuar nga Policia zbardhjen e rrethanave të aksidentit të mbrëmshëm në rrugën Gjilan-Prishtinë, nga i cili vdiqën tre persona.

“Humbja e jetës së tre qytetarëve në Liqenin e Badovcit është një lajm i trishtë. Kërkojmë që Policia të zbardhë rrethanat e këtij rasti. Ndajmë dhembjen me familjet që humbën të dashurit e tyre. Zoti i forcoftë në këto momente shumë të vështira për ta!”, shkroi ai.

Comments