Gjykimi i ish shefit të Drejtorisë së pestë të MPB-së, Goran Grujevski dhe të punësuarit në DSK Nikolla Boshkoski, pas së cilëve autoritetet e Maqedonisë kanë shpallur fletarrestim ndërkombëtar, sot përsëri është anuluar në Gjykatën në Selanik, për shkak se nuk është siguruar përkthyes, mëson MIA prej burimeve të veta.
Ata të premten e kaluar dolën para Gjykatës në Selanik për shkak të posedimit të dokumenteve të rrejshme të udhëtimit, por gjykimi u anulua për sot për shkak se nuk ka pasur përkthyes nga greqishtja në maqedonisht.
Grujovski dhe Boshkoski akuzohen nga Prokuroria Speciale Publike për përgjime të paligjshme dhe për shkatërrimin e sistemeve të përgjimit, raste të njohur si “Fortesa”, “Target” dhe “Fortesa 2”.
Të dy janë arrestuar nga policia greke në aeroportin në Selanik më 18 tetor, gjatë përpjekjes me pasaporta të rreme të largohen me aeroplan për në Budapest.
Paraprakisht mediat greke njoftuan se Grujevski dhe Boshkoski mund të ekstradohen nga fundi i nëntorit ose në javët e para të dhjetorit të këtij viti dhe deri atëherë do të jenë në paraburgim në Greqi.
Procedurën nga ana e Maqedonisë, do ta zhvillojë Ministria e Drejtësisë, e cila nga MPB-ja e mori njoftimin nga Interpol-Athina për Boshkoskin dhe Grujevskin të cilët kërkoheshin me urdhër-arrest ndërkombëtar. Ministria e Drejtësisë, javën e kaluar kumtoi se ka dorëzuar kërkesë deri te gjykata kompetente në Shkup për përgatitjen e tërë dokumentacionit për ekstradimin e tyre, pasi është marrë letër zyrtare nga Shërbimet qendrore policore të MPB-së.
Kryeministri Zoran Zaev, PPS dhe Ministria e Punëve të Brendshme deklaruan se nuk presin që të pengohet ekstradimi i Grujevskit dhe Boshkoskit nga Greqia në Maqedoni.
Skandali me përgjimet në Maqedoni filloi në vitin 2015 dhe shkaktoi krizë politike në vend.