Autostrada e harruar e Gjilanit – [Video]

Me vlerësim e rivlerësim të ofertave, ndërrim të operatorëve ekonomik, zvogëlim e rritje të çmimit, në prill të vitit 2018 kishte nisur zyrtarisht ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardh.
Historisë së kësaj rruge nuk i dihet fundi. Data e vite për përfundimin e saj ishin dhëne disa herë por punët në terren tregojnë një fotografi tjetër.
Më 21 korrik 2023, kishte inspektuar punët në këtë autostradë dhe kishte thënë se punimet do përfundojnë brenda atij viti.
Jemi në muajin e katërt të viti 2025 kjo autostradë nuk është as afër përfundimit.
Ndonëse e ndarë në segmente apo në lote siç njihet me gjuhën e infrastrukturës, dhe e shtrirë në një terren kryesisht të rrafshet pjesa nga Banulla e Lipjanit e deri në Bresalc të Gjilanit me një gjatësi 22 kilometra ende nuk është as afër përfundimit.
Në shumë segmente të kësaj rruge madje nuk shihen asnjë ekskavator apo makineri tjetër që dëshmon se po punohet.
Gazetari Lavdim Hamiti vlerëson se kjo autostradë është vula e dështimit të Qeverisë 4-vjeçare të Albin Kurtit si kryeministër.
“Ka filluar në vitin 2018 është paraparë të kryhet brenda dy viteve. Kjo ka zgjatë sikurse serialet latino-amerikane”, është shprehur Hamidi.
Problemet në ndërtimin e kësaj autostrade nisën dhe vazhduan me epilogun final dështimin për të përfunduar në kohë.
Gazetari Mentor Buzhala i cili që nga fillimi e kishte përcjellë dhe kishte raportuar për këtë projekt, tregon se autostrada për Gjilan që nga fillimi i saj është karakterizuar me shkelje dhe dyshime.
Pavarësisht se kishin aplikuar, ishin përzgjedhur kompanitë dhe çmimet që ishin paraparë, të gjithë operatorët ekonomik të përfshirë në ndërtimin e kësaj autostrade kanë bërë aneks kontrata me Ministrinë e Infrastrukturës.
Gabimi i madh në këtë projekt është bërë nga qeveria Kurti e cila sapo kishte ardhur në pushtet ndërpreu punimet me arsyetimet se ka dyshime për keqpërdorime në projekt.
Një kompani e kontraktuar për ndërtimin e kësaj autostrade i kishte shitur punimet një operatori tjetër ekonomik e kjo përbën shkelje por si duket kjo aferë kaloj në mënyre të heshtur.
Një tjetër skandal që dyshohet se e ka përcjellë këtë projekt është pagesa e një fature të falsifikuar në vlerë prej rreth 370 mijë euro për punët që nuk janë përfunduar asnjëherë.
Për këtë rast ishte aktivizuar edhe Prokuroria.
Por qeveria nuk ishte ndalë me kaq. Në vitin 2022 ishin kryer 70 për qind të pagesave, përfshirë edhe për punët që nuk kishin nisur fare në autostradën Prishtinë-Gjilan.
Edhe ekonomistët konsiderojnë si dështim, papërgjegjësi dhe padituri mos përfundimin e autostradës Prishtinë-Gjilan e cila ka një ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të vendit.
Zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë bërë të ditur problemet e paraqitura duke filluar nga rrëshqitja e dheut, riformatimi i kontratave dhe rritja e sipërfaqeve të shpronësimeve.
Sipas tyre këto janë shkaqet që kanë ndikuar që projekti të mos finalizohet.
Me krejt këto probleme t supozuara, në Ministri ishin shprehur optimistë që autostrada deri në fshatin Bresalc të finalizohet gjatë vitit 2024.
Por skandalet në këtë projekt nuk përfundojnë këtu. Disa kilometra të kësaj autostrade janë asfaltuar dhe kjo ishte prezantuar edhe nga vet kryeministri si një sukses se punët po shkojnë mirë.

Por jo gjithçka doli të jetë në rregull dhe sipas kontratës.
Cilësia e asfaltit doli të jetë në kundërshtim me standardet e kërkuara për autostrada.
Në vend të gurit eroptiv për asfaltimin e një segmenti ishte përdorur guri gëlqeror dhe këtë konstatim e kishte bërë
Laboratori i kontraktuar nga vet Ministria e Infrastrukturës.
Profesori i Ndërtimtarisë, Bekim Saliu që ligjëron lëndën e infrastrukturës rrugore konfirmon se për asfaltimin e autostradave duhet përdorur guri eroptiv e jo gëlqeror.
Sipas tij Autostrada ka kërkesa dhe kritere më shume sesa një rrugë e zakonshme.
Sipas eksperteve ndërtimi i një kilometri autostradë të ngjashme me atë “Arbën Xhaferi” nuk duhet të marrë më shumë se dy ose tre muaj kohë.
Autostrada Prishtinë-Gjilan pritet të lidhë Kosovën me Serbinë Jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës.
Ende asnjë gurë s’është lëvizur në ndërtimin e autostradës nga Gjilani te Dheu i Bardhë, të cilën e premtuan ministry i Qeverisë “Kurti”, Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij Hysen Durmishi.
Aliu e Durmishi më 15 dhjetor të vitit 2023 kishin takuar deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në afërsi të “Dheut të Bardhë” për ta njoftuar se është miratuar buxheti i viti 2024, ku siç thanë janë ndarë mjetet financiare për realizimin e kësaj pjese të autostradës.
Se kur do të kryhen punimet në autostradë nuk e di askush.
Bazuar në të gjitha parametrat autostrada për Gjilan me ato kilometra që ka do duhej të ishte e përfunduar.
Sipas Dosjes së Tenderit, kontrata është lidhur me qëllim të kryerjes së punëve shtesë në ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, kryqëzimi me disnivel Banullë-Dheu i Bardhë.
Gjatësia e kësaj autostrade është 22 kilometra dhe parashihej të përfundonte brenda 30 muajsh, apo në fund të vitit 2020.
Në buxhetin e Kosovës për vitin 2024 janë paraparë të shpenzohen 17 milionë euro për autostradën Prishtinë- Gjilan.
Këto mjete janë bartur si të pashpenzuara nga viti 2023.
Për punime shtesë në Autostradën e Gjilanit, në segmentin nga Banulla në Bresalc, Ministria e Infrastrukturës ka dhënë edhe një kontratë të re në vlerë 685 mijë euro e cila është lidhur përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit.
Kosova pas çlirimit pos shumë sfidave kishte pak rrugë të asfaltuara dhe atë kryesisht në qendrat urbane dhe magjistralet, pjesa më e madhe e të cilave ishin të shkatërruar.
Pas shpalljes së pavarësisë më 2008 kishin nisur investimet e mëdha në infrastrukturën rrugorë në të gjitha qytetet e fshatrat e të vendit.
Si projekti më i madh rrugorë ishte Autostrada e parë “Ibrahim Rugova” e cila do të lidhej me Rrugën e Kombit në Morinë.
Ndonëse pati shumë debate, kritika e akuza, kjo autostradë përfundoi dhe llogaritet ndër më të mirat në rajon.
Kosova nuk u ndal me kaq.
Në vitin 2014 nisi ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup “Arbën Xhaferi”.
Me urën më të gjatë e me sinjalizim të moderuar është lëshuar për qarkullim 5 vjet pas, më 2019 edhe ky projekt doli të jetë tejet i nevojshëm dhe i qëlluar.
Qytetarët e Gjilanit, anamoravës në përgjithësi dhe Luginës së Preshevës deri në përfundimin e autostradës, mund ta shfrytëzojnë projektin e vetëm kapital të përfunduar nga Qeveria Kurti II urën te liqeni i Badovcit, ndërtimi i së cilës ka zgjatur gati një mandat qeverisës.