Avokati fajëson Qeverinë e Kosovës se nuk mbështeti Hasan Dakajn për lirimin nga burgu i Serbisë
Mbrëmë, avokati Xhevdet Smakiqi bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale lirimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hasan Dakaj, nga paraburgimi njëvjeçar në Serbi.
“Kam qenë i nderuar të jem mysafir në familjen Dakaj nga Korisha e Prizrenit për të festuar këtë lajm të gëzueshëm. Hasan Dakaj është liruar pas një viti nga kidnapimi i shtetit antidemokratik të Serbisë,” shkruan avokati, përcjell Indeksonline.
Ai falënderoi familjen Dakaj për besimin e treguar ndaj tij për mbrojtjen e interesave juridike të familjes dhe shtoi se procedurat ligjore dhe mbulimi i shpenzimeve ishin përballuar vullnetarisht nga bashkëfshatarët e Korishës.
Smakiqi kritikoi pasivitetin e Qeverisë së Kosovës në këtë rast, duke theksuar se institucionet e vendit kanë qenë “spektatore dhe aspak mbështetëse.”
Në fund, avokati shprehu dëshirën që të lirohen të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së të mbajtur në burgjet serbe, si dhe liderët dhe të paraburgosurit në Hagë./Indeksonline/