Bajrami: Në Qeverinë Kurti është rritur deficiti tregtar
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka treguar se në mandatin e Qeverisë Kurti gati është dyfishuar deficiti tregtar.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka vlerësuar se rritja e deficiti tregon se qeveria nuk i ka mbështetur ndërmarrjet.
Sipas saj, kjo e dhënë tregon se Qeveria nuk ka ndërmarr reforma për përmirësimin e ambientit të biznesit.
“Kur Qeveria Kurti II e ka marrë mandatin, Kosova ka pasur deficit prej 2.8 miliardë euro, ndërsa viti 2023 është mbyllur me 5 miliardë euro deficit tregtar dhe të dhënat tregojnë se viti 2024 do të përmbyllet me 5.3 miliardë euro deficit tregtar. Rritja eksponenciale e deficitit tregtar tregon më së miri se kjo qeveri, veç mbështetje për ndërmarrjet vendore nuk ka ofruar. Nuk ka pasur reforma për përmirësimin e ambientit të biznesit, nuk ka pasur reformim të politikave tatimore dhe institucionet që duhet t’i shërbejnë biznesëve, në kohën më të madhe të mandatit, kanë qenë jo funksionale, siç janë OSHP-ja, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni i Ndihmës Shtetërore, Komisioni për Miniera dhe Minerale, etj. Nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi me sektorin privat. Janë dy ligje që janë ndryshuar gjatë këtij mandati dhe ato janë krejt në disfavor të sektorit privat: është dyfishuar tatimi në pronë dhe janë prezantuar për herë të parë normat e dyfushta progresive për tatim në pronë për biznese dhe është ndryshuar Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore, që ka vështirësuar jetën e bizneseve”, ka thënë Bajrami.